Xhensilda sot po lë shtëpinë e saj. Gjyshen e sëmurë, hallën që e ka rritur, si dhe banesën ku qëndroi për plot 23 vite. Babai i saj Behari, së bashku me personelin e Shërbimit Social Rajonal të Korçës, po e shoqërojnë atë drejt një jete të re.

Ju e kujtoni familjen Demisha. Historinë e saj e përcollëm dy javë më parë në “Pasdite në Top Channel”. Një familje, e cila jetonte në skamje e varfëri të plotë, e përpos kësaj, Xhensilda ishte braktisur nga e ëma në foshnjëri.

Eglantina, nëna e saj e rikthyer me dëshirën për të korrigjuar një vendim të së shkuarës, bëri një rrëfim tronditës në studio dhe kërkoi që vajza e saj të ndihmohej. Sot jeta e Xhensildës po merr një rrjedhë të re.

“Për Xhensildën kemi marrë masa, ta sistemojmë në një Qendër Publike të Zhvillimit të personave me aftësi të kufizuara. Ky sistemim është i përkohshëm dhe më pas do të monitorohet nga Shërbimi Social Shtetëror dhe nga qendra ku do sistemohet vajza. Kjo është më e mira për vajzën, duke u mbështetur edhe në mbrojtjen e të drejtave për personat me aftësi të kufizuara”, thotë Irena Bozdo, nga Shërbimi Social, Korçë.

Ishte historia e sjellë nga “Pasditja”, e cila çoi në vëmendje të autoriteteve këtë rast dhe, pas dy javësh, reagimi i Shërbimit Social Shtetëror bëri të mundur verifikimin e kushteve shëndetësore dhe ekonomike të vajzës, duke i dhënë rastit një prioritet shumë të madh.

“Ky rast na u përfaqësua nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social në Korçë, ku përfaqësuesit e kësaj drejtorie me punonjësin social dhe një efektiv policie e sollën vajzën këtu, duke na treguar edhe historikun e vajzës. Kemi një rast kur është marrë edhe vendimi nga Shërbimi Social Shtetëror, me një urdhër pranimi që ka ardhur në Qendrën e Zhvillimit Rezidencial, Durrës, dhe më vjen mirë që për të tilla raste jepet zgjidhje e menjëhershme”, deklaroi Arlind Vata, drejtor i Qendrës së Zhvillimit Rezidencial, Durrës.

Prej pak ditësh, Xheni është rehabilituar në Qendrën e Zhvillimit Rezidencial në Durrës. Eminja, kujdestarja e saj, thotë se përshtatja me ndryshimin e ri nuk ka qenë shumë i lehtë.

“Në fillim pati vështirësi në përshtatje, për vet faktin se këtu është qendra e fëmijëve të vegjël. Këtu ekzistojnë dy qendra, ku tjetra është me fëmijë të rritur. Por, atë e sollëm këtu, që ta gjejë veten më mirë, të jetë më e afeksionuar me shoqet, flas me edukatoret dhe kujdestaret. Nuk e shikon veten si një njeri me probleme çrregullimi sjelljeje që ka, por si shoqe me personelin”, thotë Eminja.

Me gjithë kufizimet dhe prapambetjet, gjithë përpjekja është që Xheni të arrijë të përshtatet me një mjedis social. Gjë që asaj i ka munguar gjithë jetën.

“Mundohemi t’i japim një punë që ajo mund ta bëjë, ta aktivizojmë për t’u mësuar me grupin. Gjithë problemi është që, nga një jetë me probleme të shumta që ka bërë, këtu e ka gjetur veten shumë më mirë, me akomodim dhe higjienë shumë më të mirë, gjëra që asaj i kanë munguar gjithë jetën”.

“Me një përkujdesje të veçantë nga stafi i qendrës, asaj i është rikthyer buzëqeshja, ndihet më mirë. Në pak ditë ka pësuar shumë ndryshim”.

Megjithëse Shërbimi Social i ka dhënë mundësinë për një jetë më të mirë, Xheni e ka të vëshirë të harrojë çfare ka lënë pas. Dritrarja është vendi, ku atë e gjen më së shumti, në pritje të të afërmve, njerëzve që e kanë rritur.

“I mungojnë dhe shpesh shprehet për këtë gjë, kërkon njerëzit e afërt me të cilët është rritur. Sipas situatës, përpiqemi ta qetësojmë duke thënë se do vijë mami sot, apo nesër, në mënyrë që të mos e ndiejë mangësinë e familjes”, shton kujdestarja e saj.

Në botën e saj, Xheni vuan për të atin dhe pjesëtarët e tjerë që ka lënë atje larg në Kodras. Por, fati duket se do t’u buzëqeshë edhe atyre.

“Komuna dhe disa shoqata që kemi ndërhyrë, do të rregullojmë shtëpinë, në mënyrë që edhe Behari të ketë mundësi të jetojë shumë më mirë”, tha Irena Bozdo.

Koha e qëndrimit të Xhensildës duket se nuk do të jetë shumë e gjatë në këtë institucion, pasi nëna e saj Eglantina ka nisur rrugën e marrjes së saj në kujdestari dhe, së shpejti, Xheni do të ketë edhe atë që i ka munguar për 23 vite, nënën e saj.

Top Channel