Kushtet e PD për rikthimin në Kuvend

21/10/2014 00:00

Me anë të një deklarate për shtyp, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, pasi ka renditur shkeljet e përsëritura, sipas tij, nga dyshja Rama-Meta duke nisur që nga shkelja e vendimeve të Gjykatave e deri tek dhuna në parlament, ka riartikuluar dhe njëherë propozimin e opozitës për një marrëveshje shumicë-opozitë me garanci dhe mbikëqyrje të faktorit ndërkombëtar.

Sipas Palokës shumica të angazhohet të mos verë më kurrë në pikëpyetje sovranitetin e Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave si dhe të punojë bashkë me opozitën për të çmontuar mekanizmin që promovon krimin në Kuvend dhe në strukturat shtetërore. 

“Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë të paguajë çdo çmim në mbrojtje të demokracisë dhe lirive themelore. Papunësia në rritje, varfëria, pasiguria dhe depresioni ekonomik si dhe arroganca e paligjshmëria qeveritare janë prodhim i drejtpërdrejtë i degradimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare nga dyshja Rama-Meta. Kush mbyll sytë apo e shikon me syze rozë këtë realitet gabon rëndë dhe gënjen veten. Nëse nuk ka reflektim, Partia Demokratike do të udhëheqë qytetarët në protestat më masive dhe popullore deri në rrëzimin e atyre që mendojnë se janë mbi ligjin dhe Kushtetutën.” – mbyllet deklarata e kreut te grupit parlamentar, Edi Paloka.

Top Channel