8 mjekë onkologë dhe dy mamografi të lëvzishme janë vënë në dispozicion të Shërbimit Onkologjik, me qëllim parandalimin e sëmudjeve tumorale.

Në ditën ndërkombëtare të depistimit të kancerit të gjirit, ku në Shërbimin Onkologjik në QSUT është duke u ofruar falas ekzaminimi për kancerin e gjirit, rezulton të jenë bërë deri më tani 250 ekzaminime të grave dhe janë regjistruar 600 të tjera, që janë ndërgjegjësuar për të bërë kontrollet.

Drejtorja e QSUT shpjegon se është përmirësuar ndjeshëm dhe furnizimi me medikamente të citostatikëve për pacientët me sëmundje tumorale.

“Janë të regjistruar rreth 4400 raste të reja tumorale në vit, ndërkohë prej tyre 450 raste të reja janë identifikuar me tumorin e gjirit. Si qendër kombëtare unike në trajtimin e tumoreve kemi marrë masat për furnizimin e vazhdueshëm me kimiopreparate, specifikisht duke rritur 2,5 herë sasinë e citostatikëve, konkretisht të kimiopreparatit që lufton këtë sëmundje, duke mbuluar kështu nevojat në rritje të saj. Kemi fuqizuar strukturat mjekësore të Shërbimit Onkologjik, duke punësuar 4 mjekë të rinj në QSUT, për të shtuar dhe garantuar shërbimin cilësor në këtë spital”, u shpreh drejtoresha Ogerta Manastirliu.

Shefi i Shërbimit Onkologjik falënderoi për lehtësirat e krijuara deri më tani, si për sa i përket furnizimit me medikamente për pacientët me sëmundje tumorale, por dhe për mjekët e rinj onkologë, që do të shërbejnë për herë të parë në dy maternitetet e Tiranës, në Senatorium dhe në Spitalin e Durrësit, te të cilët deri më tani nuk ka pasur mjekë të specializuar për këtë qëllim.

“Me një vizion të ri, Ministria e Shëndetësisë po krijon qendra satelite të sektorëve të Onkologjisë dhe në rrethet kryesore të vendit dhe kjo është një pikë mjaft e rëndësishme sepse deri më sot kanë qenë sforco të mëdha të stafit të Shërbimit të Onkologjisë për të përballuar fluksin kombëtar”, deklaroi Agim Sallaku, shef i Shërbimit Onkologjik, QSUT.

Ministri i Shëndetësisë deklaroi se vetëm këtë muaj është bërë një punë e mirë diagnostikuese, aq sa nuk është bërë përgjatë gjithë vitit 2013. Vënia në punë e dy mamografive të lëvizshme do t’u japë mundësinë grave në zonat rurale të ekzaminohen falas.

“Mbulimi universal, ku synojmë të arrijmë, nuk mund të arrihet pa parandalim dhe diagnostikim të hershëm. Besoj se në këto 12 muaj kemi bërë punë me arritje konkrete edhe në këtë drejtim. Që në fillim të vitit vendosëm që të kishim pjesë të sistemit tonë edhe 2 mamografë të lëvizshëm, të cilët enkas po i çojmë në ISHP vitin e ardhshëm, institucion që ka si mision parandalimin. Duke i çuar atje, kemi vendosur tashmë që këto shërbime të jenë pa pagesë”, tha ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Sëmundjet tumorale janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në vend, pasi deri më tani ato janë kapur vonë në kohë.

Top Channel