Mielli, tërhiqet qeveria, lejon importin nën 12 përqind

21/10/2014 00:00

Prodhuesit e miellit në Shqipëri thonë se do të mbyllin  aktivitetin duke filluar nga dita e nesërme, pasi Ministria e Bujqësisë nxorri një udhëzim për uljen e përqindjes së proteinës në këtë produkt nga 12.5 në 9 përqind e që sipas tyre demton konkurrencën dhe u jep rrugë produkteve me cilësi të ulët.

Përmes një deklarate, Unioni i Prodhuesve të Miellit të Shqipërisë thotë se udhëzimi i ministrit Panariti jo vetëm shkatërron dhe mbyll industrinë vendase, por përbën rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve shqiptarë, pasi sipas saj favorizon futjen e produktit të miellit jashtë çdo lloj norme, vlere ushqyese dhe shëndetësore.

Sipas Unionit, standardi mbi të cilin është bazuar udhëzimi i dalë nga Ministria, i përket Italisë ku 9 përqind përdoret vetëm për ëmbëlsirën. Për bukë masive niveli i proteinës është mbi 12 përqind. Industria e miellit në Shqipëri kap vlerën e investimit në më shumë se 150 milionë euro, me  rreth 150 impiante në të gjithë vendin dhe ka të punësuar më shumë se 3 mijë persona.

Por Ministria e Bujqësisë thotë se siguron konsumatorët se vendimi nuk rrezikon shëndetin e tyre dhe se po ndalon hyrjen e çdo produkti jashtë standardeve. Ministria thotë se kufiri i poshtëm prej 9 përqind i proteinës në miell është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe se për prodhime të ndryshme, përqindja e proteinës është e diferencuar çka do të rregullohet me akte normative.  

Top Channel