Ndihmë nga Izraeli për Bujqësinë

21/10/2014 00:00

Një nga ekspertët e njohur të Izraelit në fushën e bujqësisë, që nga muaji Shkurt ka nisur një tur vëzhgimesh e takimesh me fermerë në terren, për të dalë me një raport që përcakton situatën dhe nevojat për ndërhyrje.

Mungesa e teknologjisë, menaxhimi jo i mirë i burimeve natyrore, si dhe bashkëpunimi i munguar i fermerëve me shtetin, qendrat kërkimore dhe universitetet, konstatohen si probleme kryesore, që së bashku me hartimin e planeve të mira të marketimit presin zgjidhje.

“Ka një trekëndësh shumë të rëndësishëm që nuk funksionon. Në krye të tij është shteti, në këndin tjetër janë institucionet, universitetet dhe qendrat e kërkimit, ndërsa në këndin e tretë të bazës janë fermerët. Këta duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin fort. Ju i keni të gjitha mundësitë të eksportoni në vendet e tjera, po ju nuk keni cilësinë e lidhjet e duhura, dhe kjo për shkak të teknologjisë së pamjaftueshme. I dorëzuam një raport ministrit të Bujqësisë, Panariti, dhe përfaqësuesit e shtetit izraelit këtu janë në pritje të një përgjigjeje, mbi bazën e së cilës do të vendoset mbi hapat e mëtejshëm”, thotë Giora Tesler, ekspert i bujqësisë.

Tesler, gjatë ndalesës në Durrës, thotë se përparësitë që natyra dhe pozicioni gjeografik me bujari i kanë dhuruar Shqipërisë, duhen mirëmenaxhuar.

“Ju keni shumë ujë në krahasim me Izraelin, keni një tokë shumë të mirë dhe një klimë të mrekullueshme, që ju ndihmon të vilni produktet disa muaj para fqinjëve tuaj në rajon. Keni dhe punën e lirë të krahut. Të gjitha këto ju ndihmojnë, që ta mbyllni sezonin e prodhimit me më shumë produkte dhe më shumë parà. Ju jeni në qendër të Europës dhe mund ta dërgoni prodhimin brenda një kohe të shkurtër në Gjermani, Rusi e kudo. Por duhet një marketing i mirë, duhet që Qeveria të mbështesë fermerët dhe fermerët të kujdesen për një prodhim cilësor, që kërkon dhe investime. Cilësia dhe vetëm cilësia, kjo është çështja”, tha Giora Tesler.

Zv/ambasadori dhe konsulli i Izraelit në vendin tonë, z. Zach Saar, siguron se asistenca përmes Agjencisë izraelite për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Mashev, në fushën e bujqësisë do të vazhdojë, ndërsa fton fermerët anglishtfolës dhe specialistët shqiptarë të shfaqin interes për specializimet në Izrael.

“Ne po e mbështesim Shqipërinë edhe përmes dërgimit në Izrael të fermerëve e hartuesve të politikave të Ministrisë, për të ndjekur kurse profesionale që do të rrisin më tej kapacitetet njerëzore. I ftoj të interesuarit të na shkruajnë në adresën tonë të emailit për të ndjekur këto kurse në Izrael”, tha Zach Saar.

Top Channel