Trafikimi, e mbijetuara rrëfen ferrin e përjetuar

21/10/2014 00:00

Dhjetra vajza rrëmbehen apo mashtrohen nga trafikantët dhe detyrohen që të ushtrojnë prostitucion.

Ndryshe nga disa vite më parë, vajzat sot mashtrohen duke iu premtuar punë, martesë apo edhe ndonjë udhëtim turistik me djalin me të cilin ato do të ndanin jetën.   

Top Channel sjell dëshminë e një vajze që ka mundur t’u shpëtojë trafikantëve dhe ka patur guximin t’i denoncojë ata,  ndërsa në kuadër të Javës Europiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore po zhvillohen një sërë aktivitetetesh për të ndërgjegjësuar viktimat që të denoncojnë tutorët e tyre.

***

Vajza: Jam martuar 16 vjeçe, me një njeri që nuk e doja, por u detyrova nga familja. Pasi linda vajzën më dhunonte çdo ditë. Kur jam ndarë familja nuk më pranoi, më thoshte t’i duhet të kthehesh sërish atje. Por unë nuk e duroja dot më dhe vendosa të ndahesha. Pas disa kohësh jam njohur me një djalë, i cili më pretoi martesë edhe pse unë kisha një vajzë. Ai më tha se do të më ndihmonte dhe unë pranova. Me këtë djalin kemi ikur në Greqi, ndërsa vajzën e kam lënë te një njeriu i tij. Ai më thoshte se do të shkojmë të punojmë, në punë normale dhe vajzën do e lëmë te njerëzit e mi se nuk ka kush ta mbajë. Më pas më detyronte të punoja, duke më kërcënuar se nëse nuk do ta bëja do të më vriste vajzën. Nga frika që kisha u detyrova të punoja. Duhet të punoja nga ora 5 e pasdites deri në 10 të mëngjesit sepse isha në shtëpi dhe ai qëndronte aty.    

TCH: Dhe në çfarë moshe ishin vajzat e tjera?

Vajza: Tre ishin nga 16 vjeçe, 2 ishin 18 dhe të tjerat ishin nga 20 vjeçe.

TCH: Ishin të gjitha shqiptare?

Vajza: Jo, 8 ishin shqiptare dhe 2 ishin bullgare.

TCH: Sa kohë kishin që qëndronin aty?

Vajza:
Vetëm njëra kishte 1 vit, ndërsa të tjerat kishin shumë pak.

TCH: Të gjitha ishin mashtruar?

Vajza: Po.

TCH: Për çfarë ishin mashtruar?

Vajza: Për martesë, për fejesë, për një jetë më të mirë.

TCH: A përpiqeshin të largoheshin nga aty?

Vajza: Përpiqeshin, por nuk kishin mundësi që të iknin.

TCH: Tutor shqiptar?

Vajza: Po. Ata kur nuk i çonim aq para sa donin ata…

TCH: Sa para donin ata?

Vajza: Donin 500 euro në natë, në të kundërt na rrihnin, digjnin cigare në trup, masakronin. Ishte tmerr kur shihje ato vajza ashtu.

TCH: Sa klientë i binte mesatarisht në një natë?

Vajza: Varet sa mund të kishin.

TCH: Sa afërsisht?

Vajza: 10, 15, 20

TCH: Ty vetë nga ato vajzat, për kë të ka ardhur më shumë keq?

Vajza: Më ka ardhur për një vajzë që ishte e vogël, 16 vjeç. Për atë më ka ardhur shumë keq. Asaj i kishin marrë edhe motrën më përpara dhe ja kishin vrarë. Nga frika ajo nuk ikte sepse thoshte që do më ndodhë mua e njëjta gjë siç i kishte ndodhur së motrës.

TCH: Si arrite të ikësh?

Vajza: Erdhi një klient aty, i cili ishte shqiptar. Ai i thotë pronares, që ‘mund ta marrë për në hotel se nuk mundem këtu’. Ajo pranon. Ai i jep lekët, 100 euro për një orë. Ky kishte ardhur edhe herë të tjera dhe e njihte pronaren. Unë iki bashkë me këtë. Lekët mi kishte dhënë ajo shoqja dhe i kisha futur në këpucë. Më kishte dhënë 50 euro sa për të paguar taksinë.

Trafikantët shqiptarë vazhdojnë të mbajnë gjallë këtë biznes që u siguron miliona euro çdo vit. Pasi i rrëmbejnë apo i mashtrojnë, i izolojnë dhe i detyrojnë të punojnë për orë të tëra duke i dhunuar në format nga më çnjerëzoret. Ministria e Brendshme ka vendosur një numër telefoni falas: 116 006 ku çdokush mund të denoncojë këtë fenomen.

Top Channel