ISIS ekzekuton një grua me gurë

21/10/2014 00:00

ISIS trondit botën sërish me një video tjetër ekzekutimi në provincën Hama në Siri. Këtë herë një grua u qëllua për vdekje me gurë nën akuzën e tradhëtisë bashkëshortore.

Sipas ekstremistëve ajo duhej ta pranonte gabimin dhe vdekjen si zgjedhje të Allahut. Në video shfaqet edhe babai i saj, i cili vështronte gjakftohtë skenën dhe është pikërisht ai që e miraton ekzekutimin e të bijës.

Më herët përfaqësues të kalifatit islamik kanë nxjerrë një listë ku shfaqin mëkatet që dënon me vrasje besimi i tyre, ku mes tyre është edhe tradhëtia bashkëshortore. Bazuar tek kjo listë, ISIS në mënyrë rutinë jep dënimet përkatëse. Sipas Observatorit Sirian të të Drejtave të Njeriut, ekzekutimi i gruas është i treti i këtij lloji në territoret e kontrolluara nga ekstremistët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe koalicioni i udhëhequr nga ta, po bëjnë të pamundurën për të ndalur masakrat e ISIS. Pavarësisht sulmeve ajrore të SHBA, John Kerry thotë se ato nuk janë të mjaftueshme.

Uashingtoni kërkon një bashkëpunim më të madh me vendet e Azisë Jug-lindore në luftën ndaj militantëve të ISIS, që të bllokojnë ushtarët e tyre për të mos lejuar që t’i bashkohen kalifatit islamik si edhe të ndërpresin burimet e financimit për ta.

Top Channel