Poroshenko nënshkruan “gjykimin e Yanukovych”

21/10/2014 00:00

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, në një lëvizje për të shuar pakënaqësitë përpara zgjedhjeve, nënshkroi një ligj gjatë së martës që do të lejojë gjykimin e liderit të rrëzuar Viktor Yanukovych në mungesë, për krime të kryera gjatë kohës që ishte në pushtet.

Poroshenko dhe qeveria e tij pro-Perëndimit, të cilët synojnë një mandat tepër bindës gjatë zgjedhjeve parlamentarë të së dielës, përballen me kritika nga shumë vetë se nuk ka qenë i ashpër sa duhet për ta çuar Yanukovychin përpara drejtësisë, i cili u rrëzua pas protestave të rrugëve dhe sheshit “Euromaidan”, në fund të Shkurtit, së bashku me familjen dhe të afërmit e tij.

Autoritetet e Kievit akuzojnë Yanukovychin, i cili ndodhet aktualisht në Rusi, për përfshirje në vdekjen e protestuesve, të cilët u qëlluan për vdekje nga policia në kohën e drejtimit të tij, për vjedhje në shkallë të gjerë të pronave shtetërore dhe fondeve, si dhe për përpjekje për të rrëzuar lidershipin e ri.

Deri më tani, ligji ukrainas nuk lejonte hetimin e njerëzve jashtë vendit për t’u gjykuar në mungesë për krime të kryera në Ukrainë. Por, Poroshenko, i cili u zgjodh në Maj dhe që shpreson për një mbështetje të madhe ndaj koalicionit pro-europian në zgjedhjet e së dielës, tha në faqen e tij të internetit se kishte nënshkruar amendamentet ndaj Kodit Penal, i cili do të bëjë të mundshme hetimin nga gjykata në mungesë, për shkak se jetojnë jashtë vendit, të atyre që “kanë robëruar popullin ukrainas”.

Ndryshimi i ligjit parashikon konfiskimin e pronës dhe aseteve të atyre që shpallen të pafajshëm në mungesë për krime kundër popullit ukrainas, tha ai.

Yanykovych, i cili u ndoq nga një sërë ministrash dhe ndihmësish kur u largua për në Rusi, ka lënë prona në vend, përfshi edhe një rezidencë të madhe në periferi të Kievit, si dhe të paktën një vilë në Detin e Zi.

Top Channel