Ukrainë-Rusi, ende pa marrëveshje

21/10/2014 00:00

Negociatorët e tri palëve përfaqësuese, Ukrainë-Rusi-BE, dështuan të përmbyllnin me një marrëveshje bisedimet mbi çmimin e gazit në Bruksel, gjatë së martës, e do të takohen sërish me shpresën e një akordi të mërkurën e ardhshme, më 29 Tetor.

Lajmi është bërë i ditur nga Komisioneri i BE-së për Energjinë, Guenther Oettinger, i cili u shpreh në një konferencë për shtyp pas ditës së bisedimeve:

“Sot kemi arritur në një qëndrim, i cili do të duhet të diskutohet nga të gjitha palët me qeveritë respektive, me drejtorët e kompanive të përfshira dhe gjithashtu edhe këtu në Komision, në konsultim me Këshillin e Europës”.

“Mbi bazën e këtij draft-dokumenti, në takimin e ardhshëm që do të shpresojmë të jetë i fundit tripalësh, të mërkurën e ardhshme në Bruksel, ne do të mund të arrijmë në një vendimmarrje dhe do të mund të kemi firmat e të gjithë partnerëve”, shtoi ai.

Rusia dhe Ukraina synojnë të zgjidhin një grindje afatgjatë mbi çmimin e gazit me të cilin furnizohet, ndaj dhe u ulën në bisedime me ndërmjetësimin e Komisionerit të Bashkimit Europian.

Duke përmendur faturat mbi 5 miliardë dollarëshe të papaguara, Rusia ka ndalur furnizimin me gaz ndaj Kievit që prej mesit të Qershorit, duke shtuar tensionet e nisura me aneksimin e rajonit të Krimesë nga Moska.

Pas muajsh të tërë ngërçi, presioni është rritur së tepërmi për të arritur një marrëveshje dhe për të lejuar dërgimin e gazit për ngrohje duke qenë se dimri po afron.

Dallimet mbeten ende, por ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, tha përpara takimit se shpresonte që gjithçka të konkludohej brenda kësaj së martë, gjë që me sa duket nuk është ndalur me kaq.

Top Channel