Suedia: Gjithçka për ta nxjerrë në sipërfaqe “nëndetësen e huaj”

21/10/2014 00:00

Suedia nuk dëshiron të konfirmojë ekzaktësisht se është duke kërkuar për një nëndetëse të huaj në ujërat territoriale të saj, por, nëse gjen diçka që nuk do ta pëlqente të ndodhej aty, është e gatshme të bëjë gjithçka të nevojshme për ta detyruar atë të dalë në sipërfaqe.

Lajmi bëhet i ditur nga një zëdhënëse e ushtrisë suedeze gjatë së martës, teksa kërkimet kanë nisur që prej ditës së enjte, pasi shërbimet informative suedeze kapën një sinjal emergjence radiofonike në rusisht, duke shtuar dyshimet se nëndetësja misterioze mund të jetë ruse.

“Ende nuk e dimë se çfarë është, por ne jemi të përgatitur të përdorim gjithçka të nevojshme për ta nxjerrë atë në sipërfaqe të ujërave tona, nëse do të na duhet ta bëjmë”, tha zëdhënësja Therese Fagerstedt për CNN, këtë të martë.

Helikopterë, anije luftarake dhe minapastruese janë duke kërkuar nëpër ujërat në brigjet e kryeqytetit suedez, Stokholm.

Transmetimi radiofonik i së enjtes së kaluar u dërguan drejt enklavës ruse të Kaliningradit, 330 milje në Jug të Stokholmit dhe në brigjet jugore të vendeve Baltike.

Ekzistojnë gjithashtu raportime se një anije e huaj është zbuluar në ujërat pranë Stokholmit. Rusia mohoi të dielën të kishte ndonjë anije në ujërat suedeze, duke sugjeruar se anija mund t’i përkiste Holandës dhe mund të jetë përfshirë në stërvitje detare pranë Suedisë, sipas një raporti të publikuar nga agjencia e lajmeve ruse, “Itar-TASS”.

Megjithatë, holandezët u kundërpërgjigjën menjëherë, duke thënë se nëndetësja e përfshirë në stërvitje ishte e ankoruar në portin e Talinit, duke qenë se Estonia është një vend anëtar i NATO-s përgjatë fundjavës, siç njofton agjencia e lajmeve “AFP”.

Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur për CNN se nuk ka asnjë nëndetëse apo anije tjetër në sipërfaqen e zonës në fjalë, por gjithashtu shtuan se burime të inteligjencës amerikane nuk janë në dijeni të ndonjë aseti rus në atë zonë.

Top Channel