Trafikimi i qenieve njerëzore

22/10/2014 00:00

Vetëm gjatë periudhës shtator 2013 – shtator 2014 në Shqipëri janë evidentuar 88 viktima të trafikimit me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Këto shifra i ka bërë të ditura zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, e cila ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”.

E pyetur lidhur me procesin e rehabilitimit të këtyre viktimave, zëvendësministrja është shprehur se më i vështirë është procesi i pranimit të tyre në shoqëri, gjë për të cilën sipas saj qeveria është duke punuar.

Pandi Gjata: Shqipëria mbetet në hartën e vendeve burimore dhe të tranzitit të trafikut të qenieve njerëzore. Por konkretisht në çfarë përmasash është trafiku i qenieve njerëzore në Shqipëri?

Elona Gjebrea:  Sipas raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është vend burimi dhe destinacion, por jo tranzit i trafikimit të qenieve njerëzore.

Pandi Gjata: Nuk jemi më në listën e vëzhgimit.   

Elona Gjebrea: Jo, nuk jemi më në listën e vëzhgimit, por jemi ngritur një kategori më lartë, por kjo kërkon më shumë punë. Edhe raporti i fundit i Komisionit Europian përgëzoi arritjet që janë bërë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, sigurisht duke  adresuar edhe rekomandime dhe sugjerime për të ardhmen.   

Pandi Gjata: Si është situata në Shqipëria aktualisht përsa i përket këtij fenomeni?

Elona Gjebrea: Do të doja të theksojë tre hallkat kryesore që ndihmojnë në të gjithë këtë zinxhir dhe që ndihmojnë në punën që bëhet për trafikimin. E para është policia, në bashkëpunim me strukturat e shërbimit social. E dyta është prokuroria e Krimeve të Rënda dhe pastaj është Gjykata e Krimeve të Rënda. Përsa i përket identifikimit, ne e kemi rritur këtë numër, kryesisht me anë të njësive të lëvizshme, të cilat janë në qytete kryesore, Tiranë, Vlorë dhe Elbasan.

Pandi Gjata: Pse është bërë kjo zgjedhje për këto 3 qytete?

Elona Gjebrea: Këto janë qytete të mëdha, ku përfshihen edhe zonat rurale. Gjithashtu këto janë qytete universitare dhe nga ana tjetër ka rezultuar që ka dhe raste të trafikimit të qenieve njerëzore. Me këtë nuk dua të them që këto raste ndodhin vetëm në këto qytete, nuk mund të themi që kemi një zonë tipike. Rastet vijnë kryesisht nga zonat rurale, por kemi edhe raste nga zonat urbane.

Pandi Gjata: Cila është mosha mesatare e vajzave që rrëmbehen për t’u trafikuar dhe në cilat shtete janë destinacioni i tyre?

Elona Gjebrea: Nga 18 deri në 33 vjeç, kjo është mosha më e prekur. Vendet kryesore në të cilat haset trafikimi i qenieve njerëzore janë, Italia, Greqia, Maqedonia, dhe në disa raste edhe Mbretëria e Bashkuar.

Pandi Gjata: Nga të dhënat që ju keni, si kanë rënë pre e trafikimit këta persona? Mashtrohen, gjendja ekonomike, apo çfarë tjetër?

Elona Gjebrea: Rastet tipike janë ato të mashtrimit, për një punë më të mirë. Zakonisht trafikanti pranohet edhe në familjen e viktimës. Ai i propozon viktimës për një jetë më të mirë dhe më pas kalojnë në kërcënime dhe të gjitha ato elementë që e bëjnë një vepër penale të trafikimit.

Pandi Gjata: Sa raste janë identifikuar brenda vitit 2014?


Elona Gjebrea:
Ne bëmë një bilanc të punës sonë gjatë një viti dhe janë identifikuar 88 viktima të trafikuara. Gjatë vitit 2014 Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 4 vendime penale, ku janë dënuar 10 persona, ndërkohë një vit më parë janë dënuar vetëm dy. Shumë çështje janë nën hetim dhe shpresojmë që të rritet numri i rasteve të dënimeve nga Gjykata e Krimeve të Rënda.   

Pandi Gjata: Sa ndikojnë faktorët, si gjendja ekonomike, formimi social-kulturor te këto të reja që mashtrohen?

Elona Gjebrea: Kryesisht janë vajza nga familje të varfra, me të ardhura të pakta ekonomike, pa një formim bazë apo një formim profesional.

Pandi Gjata: Duke qenë se jemi edhe në Javën Europiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ka thirrje për sensibilizim për të denoncuar të gjitha ato vajza, të cilat ndjehen të kërcënuara. Si i merr në mbrojtje shteti vajzat të cilat denoncojnë rastet e trafikimit?

Elona Gjebrea: Zyra e Koordinatorit Kombëtar dhe Ministria e Punëve të Brendshme për herët të parë prezantuan javën Kombëtare Antitrafik. Kjo është bërë për të rritur ndërgjegjësimin përsa i përket fenomenit të trafikut të qenieve njerëzore. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë të njihen me format e mashtrimit, të dinë se çfarë është trafikimi. Por nga ana tjetër të ndihmojnë edhe ata persona, të cilët mund ta identifikojnë veten si viktimë të trafikimit dhe nuk kanë se ku të denoncojnë. Për këtë arsye, në qershor të vitit 2014, ne kemi prezantuar numrin pa pagesë 116 006. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve, çdo i ri i cili mund të ndjehet viktimë e trafikimit të telefonojë te ky numër që është pa pagesë. Shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë për riintegrimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit me anë të qendrave pritëse, të cilat ofrojnë mbështetje.

Pandi Gjata: A është e vështirë për këto vajza, në ambientin ku ne jetojmë, për t’i ripranuar? A duhet punuar edhe në këtë drejtim?

Elona Gjebrea:
Nuk është e lehtë për to që të integrohen në jetën sociale. Punohet shumë, qoftë edhe me biznese të ndryshme për t’i mundësuar atyre punë. Së shpejti ne do të fillojmë edhe një bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale për t’i ndihmuar ato me anë të kurseve profesionale.

Pandi Gjata: A është e vështirë për t’i shkuar deri në fund dënimit të trafikantëve?

Elona Gjebrea: Kjo është një sfidë. Ka nevojë për një hetim proaktiv që duhet të zhvillohet ndërmjet të gjitha strukturave. Është punuar shumë për rritjen e kapaciteteve, qoftë të strukturave policore, por edhe ato të prokurorisë, duke marrë eksperienca edhe nga vende të tjera. Jam shumë e bindur që puna e deritanishme i ka dhënë frytet. Por sigurisht që kërkohet një bashkëpunim ndërinstitucional, kërkohet një ndërgjegjësim i shoqërisë dhe i komunitetit që ne të adresojmë të gjitha ato nevoja që ka lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Pandi Gjata: Vajzat apo gratë që kanë rënë pre e trafikimit, pse duhet të telefonojnë te ky numër që përmendët? Si do ta gjejnë ato shpëtimin?

Elona Gjebrea: Do të doja të bëja edhe një herë tjetër një apel për të gjithë ata persona, të cilët janë dëshmitarë të trafikimit të qenieve njerëzore, të mos hezitojnë, të raportojnë në numrin pa pagesë, apo edhe nëpërmjet aplikacionit ‘Raporto dhe Shpëto’. Të ndihmojnë që ne të jemi pranë çdo personi që mund të ndjehet i trafikuar. Vetëm kështu trafikantët do të vihen përpara drejtësisë, vetëm kështu jeta e tyre do të jetë e mbrojtur dhe ndërkohë do të vihet dinjiteti i tyre në vend.
 

Top Channel