Vritet në shtëpi 63-vjeçari

22/10/2014 00:00

Një person është vrarë me armë zjarri në banesën e tij, në orët e vona të mbrëmjes në fshatin Vukpalaj të Komunës Bajzë, në Malësi të Madhe.

Viktima është shtetasi Pashk Mujaj, 63 vjeç, i cili jetonte i vetëm në banesë. Dyshohet se krimi është kryer gjatë ndonjë tentative grabitjeje.

Trupi i pajetë i viktimës është gjetur nga dy djemtë e tij, të sapo kthyer nga Anglia, ku jetonin dhe punonin.

Nga hetimet paraprake, policia dyshon se viktima, i cili ka disa plagë nga armë zjarri, është vrarë me pistoletë, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Deri në orët e mëngjesit janë shoqëruar nga policia 4 persona, të cilët dyshohen se kanë informacion në lidhje me këtë ngjarje, por që ende nuk është arritur në zbardhjen e këtij krimi.

Të afërmit e viktimës janë pyetur nga policia dhe kanë sqaruar se nuk kanë asnjë konflikt apo hasmëri me njeri.

Top Channel