“Zoti zëvendëskryeministër, ministër i Jashtëm, Daçiç. Miku im i ngushtë Ivica, çfarë kënaqësie t’ju kem këtu në Bruksel. E konsideroj këtë si shtëpinë tuaj të dytë”, është shprehur Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE.

Me plot dashuri nisi dhe përfundoi fjalimi i lamtumirës me palën serbe nga përfaqësuesja e lartë e BE-së në largim, Ashton, e cila përmendi 230 orët e shpenzuara me intensitet në diskutimet për sfidat integruese të Beogradit dhe në dialogun me Kryeministrin Thaçi, që nisi dy vjet më parë.

“Dua t’ju falënderoj për meritat tuaja, e përmes jush, ndaj zotit Vuçiç dhe ekipit që punoi me ju, për kurajon tuaj, për burrështetësinë e treguar, vullnetin për t’u angazhuar e për ta çuar përpara vendin tuaj”, tha Catherine Ashton.

Ivica Daçiç kujtoi diskutimet e lodhshme dhe nervoze, në të cilat baronesha Ashton shpenzoi pa dëshiruar edhe ditëlindjen e saj, sipas tij, duke i ofruar në fund të mandatit një ikonë të kishës ortodokse (me vlerë nën 150 euro dhe i takon kishës autoqefale të Athos në Greqi) në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në procesin e suksesshëm integrues të Beogradit gjatë viteve të fundit.

“Më duhet të jem i sinqertë, sepse jam prej 24 vjetësh në politikë tashmë. Kam qenë i pranishëm në pothuajse gjithësecilën prej krizave të Ballkanit dhe më duhet të them se Catherine Ashton është negociuesja e vetme me objektivitet në këtë aspekt”, tha Ivica Daçiç, zëvendëskryeministër i Serbisë.

“Ndryshe nga takimet e fillimit, tashmë takimet e dialogut janë normale dhe më duhet të përmend se të enjten në Beograd mbahet konferenca, ku do të mblidhen ministrat e Jashtëm të rajonit dhe ata të Ekonomisë”, vijoi ai.

Në këtë dalje për shtyp nuk pati gazetarë shqipëtarë të pranishëm, pasi zyra e Ashton kishte njoftuar paraprakisht se nuk do të lejoheshin pyetje. Një takim i ngjashëm pritet të zhvillohet në fund të javës edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi, ndërkohë që Këshilli i BE-së i dha lamtumirën asaj gjatë mbledhjes në Luksemburg.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel