Ebola, SHBA kufizon aeroportet ku priten afrikano-perëndimorët

22/10/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë futur në fuqi rregulla të reja, të cilat u kërkojnë pasagjerëve – që vijnë nga tre vendet të Afrikës Perëndimore të prekura më rëndë nga Ebola – të udhëtojnë përmes njërit prej 5 aeroporteve të caktuara.

Udhëtarët nga Sierra Leone, Liberia apo Guinea mund të mbërrijnë në “O’Hare” të Chicagos, “JFK”, “Newark”, në “Dulles” të Uashingtonit apo në Atlanta, në të cilat do t’u nënshtrohen masave të rrepta të kontrollit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet të ndërhyjë gjatë një takimi emergjent në orët e ardhshme. Përhapja aktuale e virusit ka shënuar më shumë se 4500 viktima, shumica e të cilëve në Guine, Liberi dhe Sierra Leone.

Udhëtarët e këtyre vendeve do t’u nënshtrohen kontrolleve për temperaturë, pavarësisht se ekspertët paralajmërojnë se lëvizje të tilla nuk priten të kenë impakt.

Masat e reja të sigurisë vijnë në një kohë kur shqetësimi publik është rritur së tepërmi në SHBA, ku 3 persona janë infektuar dhe 1 tjetër ka ndërruar jetë prej kësaj sëmundjeje infektive.

Masat paraprake kanë shkuar shumë pranë pezullimit të fluturimeve nga këto vende, siç kishin kërkuar disa prej anëtarëve të Kongresit amerikan.

Ndërkohë, familja e Thomas Eric Duncan, liberianit që ndërroi jetë nga Ebola në SHBA më herët gjatë këtij muaji, thonë se zyrtarët e spitalit kanë refuzuar të publikojnë informacione mbi trajtimin e tij, raporton “Associated Press”.

Top Channel