ISIS “kap” ndihmat e SHBA-ve

22/10/2014 00:00

U fol që të martën se një pjesë e armëve të hedhura nga avionët amerikanë për mbrojtësit kurdë të Kobanës kanë rënë gabimisht në duart e armiqve të tyre, militantëve të Shtetit Islamik.

Për të vërtetuar të tilla pretendime, ekstremistët e ISIS-it kanë nxjerrë dhe video, ku shihen qartë duke kontrolluar arkat me armë amerikane. Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se po i verifikon filmimet, megjithatë gjasat më të mëdha janë që videoja të jetë autentike.

Rreth 27 dengje me armë të vogla, municione e të tjera armatime, u hodhën të hënën nga ajri për paraushtarakët që luftojnë me xhihadistët për kontrollin e Kobanës.

Zëdhënësi i Pentagonit, kundëradmirali John Kirby, këmbëngul se pjesa më e madhe e ndihmave ushtarake kanë rënë në duart e duhura. Por, deklaratat e militantëve që kanë marrë edhe ata armatime amerikane, i pohojnë edhe aktivistë të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, në Londër.

Avancimi i ISIS-it në Siri vjen në sfondin e një lufte të përgjakshme civile, që ka gjunjëzuar vendin prej 3 vjetësh. Sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara në këtë vend, po zhvillohen pa aprovimin e Presidentit Bashar al-Assad, të cilin Perëndimi kërkon ta rrëzojë nga pushteti.

Në Irak, nga ana tjetër, bombardimet nga ajri janë kryer në bashkëpunim të plotë me qeverinë. Ndërhyrjet nisën pasi ISIS iu afrua shumë kryeqytetit Bagdad, të cilin e kërcënon ende me praninë e tij, pasi mori javët e fundit nën kontroll pjesën më të madhe të provincës perëndimore të Anbarit.

Militantët e Shtetit Islamik besohen të jenë përgjegjësit e një serie bombash që kanë tronditur kryeqytetin e Irakut këto ditët e fundit, e kanë lënë me dhjetra të vrarë.

Vetëm të martën, në Kobanë kanë humbur jetën në luftime 11 mbrojtës kurdë të qytetit e 30 xhihadistë. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, islamikëve u kanë ardhur përforcime, ndërkohë që nuk ka ende asnjë gjurmë të peshmergave që duhej të mbërrinin nga Turqia.

Top Channel