Në pranga inspektori i antikontrabandës

22/10/2014 00:00

Sektori kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan ka vënë në pranga mëngjesin e së mërkurës inspektorin e antikontrabandës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, shtetasin Bashkim Prençi, si dhe shtetasin Pëllumb Murati nga fshati Kusarth i Elbasanit.

Inspektori i antikontrabandës dyshohet për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Nga hetimet e policisë rezulton se ai ka ndihmuar shtetasin Pëllumb Murati të kalojë kamionin e tij në doganën e Kapshticës, pa deklaruar ngarkesën.

Policia e Elbasanit sqaron më tej se Pëllumb Murati është arrestuar pasi ka kaluar doganën e Kapshticës me kamionin e tij, me targa EL 3814 C, i ngarkuar me një sasi të konsiderueshme mallrash kontrabandë.

Murati nuk ka deklaruar në kufi rreth 3 mijë copë veshje dhe 39 goma automjetesh. Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas i ka paguar inspektorit të antikontrabandës, Bashkim Prençi, 140 mijë lekë.

Top Channel