Komisioni Europian merr miratimin e PE-së

22/10/2014 00:00

Parlamenti Europian miratoi qeverinë e re të Bashkimit Europian, Komisionin Europian të kryesuar nga Jean-Claude Juncker, gjatë seancës së votimit të së mërkurës, duke i hapur rrugën kështu këtij organi ekzekutiv të nisë zyrtarisht detyrëm më 1 Nëntor.

Juncker, ish-kryeministër i Luksemburgut, do të pasojë Presidentin në largim të Komisionit, Jose Manuel Barroso. Ekzekutivi do të përbëhet nga 28 anëtarë, (27 komisionerë dhe presidenti), të cilët zgjidhen si përfaqësues të secilit prej vendeve anëtare të BE-së, dhe do të hartojë politikat për bllokun europian në koordinim me qeveritë kombëtare.
 
Qeveria e re e BE-së mori 423 vota pro, 209 kundër dhe 67 abstenime. Ndërsa kreu në ardhje i ekzekutivit, Jean-Claude Juncker, tha përpara Parlamentit Europian se do të prezantojë një plan investimesh prej 300 miliardë eurosh për të forcuar rritjen dhe punësimin deri në fund të këtij viti.

Duke e kthyer fjalimin me qëllim në gjermanisht, gjatë adresimit para PE, Juncker tha se investimet janë jetike për të rikthyer rritjne dhe për të krijuar vende të reja pune. Gjermania, ekonomia dominuese e Europës, u ka rezistuar deri më tani thirrjeve për të shpenzuar më shumë për nxitjen e rritjes ekonomike.

Juncker shtoi gjithashtu se rregullat buxhetore të Bashkimit Europian, të cilat kufizojnë përmasat e deficiteve qeveritare dhe borxhet publike, nuk do të dobësohen. Komisioni ka nisur një rishikim të rregullave dhe efektivitetit të tyre, e do të hartojë një raport në mesin e Dhjetorit.

“Rregullat nuk do të ndryshohen”, tha Juncker. “Por ato mund të implementohen me një shkallë të lartë fleksibiliteti”.

Juncker u angazhua gjithashtu për një ekip politik, që do të fokusohet gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar në zhvillimin e programeve madhore, duke u lënë çështjet më të vogla qeverive kombëtare, një kërkesë kyçe kjo prej Britanisë, ku ka një rrymë të fortë për daljen e vendit nga BE.

Fjalimi i tij në Parlamentin Europian erdhi pas disa ditë ekzaminimesh të thella të kandidaturave nga parlamentarët e tjerë. Ai ndërroi disa prej të emëruarve pas kundërshtimeve nga disa prej anëtarëve të PE-së.

Komisioni Europian harton ligjet e BE-së, mbikëqyr buxhetet kombëtare dhe zbaton rregullat e BE-së. Duke folur në frëngjisht, Juncker tha se ishte “patetike” fakti që ai nuk ka mundur të emërojë më shumë se 9 gra në Komision, pavarësisht se ka nxitur qeveritë kombëtare të emërojnë sa më shumë gra në politikë.

Ai u kërkoi europarlamentarëve të lobojnë ndaj partive të vendeve të tyre të rrisin ndërgjegjësimin mbi barazinë gjinore. Për shumë vite, ai ka qenë kryeministër i Luksemburgut dhe është një veteran i përpjekjeve të integrimit të BE-së.

“Jam disi i zënë ngushtë në lidhje me këtë, sepse Luksemburgu nuk ka emëruar një femër”, tha ai, duke shtuar më pas në anglisht se “në një periudhë afatshkurtër nuk mundem të ndryshoj gjininë time”.

Top Channel