Vaksina kundër Ebolas në Janar

22/10/2014 00:00

Vaksina eksperimentale kundër Ebolës mund të hyjë në përdorim në muajin Janar. Organizata Botërore e Shëndetësisë po këmbëngul shumë, që lufta kundër përhapjes së virusit të tmerrshëm të marrë një shtysë të rëndësishme me prodhimin e vaksinës, për të cilën po përgatiten dy variante.

Organizatat e huaja në Afrikë lëshojnë apele të dëshpëruara për ndihmë. Afati i kërkuar prej ekspertëve deri në fund të Dhjetorit do të shërbejë si kohë për testim. Nëse vaksina rezulton e padëmshme, në Janar do të fillojnë provat në Afrikën Perëndimore duke përdorur dhjetra-mijëra doza.

“Do të ketë dhjetra-mijëra të vaksinuar, por jo miliona. Ajo që dua të them është se nuk do të kemi në 2015-n një fushatë masive vaksinimi. Dua të shtoj gjithashtu se asnjë nga vullnetarët, që morën pjesë në eksperimente, nuk e merr virusin nga testimi”, tha Dr. Marie Paule Kieny, zv/drejtoreshë e OBSH-së.

Për momentin nuk ekzistojnë as ilaçe, as vaksina kundër Ebolës, e cila ka shkaktuar vdekjen e mbi 4500 vetëve. Deri me sot nuk ka pasur asnjëherë një kurë të njohur për këtë sëmundje.

Gjithë çfarë është mundur të bëhet ka qenë t’iu jepet disa pacientëve gjak dhe plazmë, të dhuruar nga persona që i kanë mbijetuar virusit. Transfuzionet e gjakut konsiderohen një trajtim eksperimental për Ebolën. Të mbijetuarit mund të kenë nivel të lartë antitrupash në gjakun e tyre, të cilat ndihmojnë të luftohet sëmundja te pacientët e prekur rishtazi prej saj.

Top Channel