Mielli me nivel proteinash më të ulët se 12.5 përqind do të lejohet në treg, por jo për prodhim buke. Kjo është marrëveshja, që Ministria e Bujqësisë dhe prodhuesit vendas të miellit duket se kanë arritur në parim.

“Nuk ka asnjë lloj tërheqjeje pozicioni nga ana ime. Standardi i bukës do të jetë ai që kam deklaruar, por siç thashë mielli ka shumë destinacione përdorimi dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë të krijojmë situata monopol dhe të ndalojmë miellin që përdoret jo për destinacion buke, por që mund të përdoret për baza picash apo për produkte të tjera brumi, të cilat kërkojnë nivel të ulët proteinike, ndryshe nuk përgatiten. Pra në do të lejojmë që mielli me zero, apo me përqindje të ulët proteinike prej 9 përqind të qarkullojë por të mos përdoret për prodhim buke”, është shprehur ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Por, edhe pse kanë rënë dakord me këtë zgjidhje, prodhuesit e miellit bënë të ditur jashtë kamerave se do të vazhdojnë t’i mbajnë të mbyllura fabrikat, deri sa qeveria ta zyrtarizojë marrëveshjen duke nxjerrë aktet ligjore. Zoti Panariti tha se qeveria është e angazhuar për këtë.

“Ne jemi në mbrojtje të interesave të tyre, jo në konflikt me ta. Ne duam vetëm që çdo gjë të rregullohet edhe në raport me detyrimet që kemi ne me të tretët: me Organizatën Botërore të Tregtisë, e cila na detyron neve të mos vendosim barriera në tregtinë e lirë, mos krijojmë situata monopol, nga ana tjetër të jemi të qartë dhe të saktë për karakteristikat që mjelli duhet të ketë për destinacionin ku ai është drejtuar”, vijoi më tej ministri Panariti.

Vetëm pak javë më parë Ministria e Bujqësisë, përmes një urdhëri, ndaloi importin e miellit me nivel më të ulët proteinash se 12.5 përqind. Kjo çoi në bllokimin e importeve për miellin që vjen kryesisht nga Kosova, i cili ka nivel proteinash 9 përqind. Zoti Panariti mohoi që ndryshimi i urdhërit të ketë lidhje me këtë çështje.

“Kjo nuk lidhet fare me miellin e Kosovës, Shqipëria nuk importon miell vetëm nga Kosova. Importon miell nga të gjitha drejtimet, edhe nga Bashkimi Europian me përqindje nën 30 përqind. Nuk lidhet kjo me situatën e Kosovës, sepse është krijuar një mit sikur kjo bëhet për shkak të një lufte tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që është absolutisht e pavërtetë. Unë kam shqetësime edhe nga prodhues të tjerë shqiptarë, të cilët prodhojnë vetëm pica dhe ëmbëlsira dhe thonë se ne duhet ta rregullojmë këtë me akt normativ, dhe kështu do të bëjmë”, përfundoi ministri Panariti.

Fabrikat vendase prodhojnë miell me nivel proteinash 12.5 përqind. Sipas tyre, importi i miellit me 9 përqind proteina dhe përdorimi i tij për prodhim buke, jo vetëm që shkatërron industrinë vendase, por  përbën rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve.

Top Channel