Xhihadisti australian kërcënon

22/10/2014 00:00

17-vjeçari australian, i shfaqur në një video të ISIS-it në krah të militantëve të dhunshëm të Shtetit Islamik, betohet të vendosë flamurin e zi të tij mbi “Buckingham Palace” dhe e quan veten “Abu Khaled”, ndërsa familja e quan “idiot”.

Kur u zhduk nga shtëpia e tij në Bankstoën, në Perëndim të Sidneit, në muajin Qershor, Abdullah Elmir, një djalosh i bardhë i konvertuar në fenë islame, i tha të ëmës se po shkonte për peshkim e nuk u kthye më kurrë.

Tani, pasi panë videon, disa të afërm e përshkruajnë si një “budalla” e asgjë më shumë, dhe mendojnë se është e qartë që adoleshentit i është bërë lavazh truri.

Elmiri dhe miku i tij Feiz besohen të kenë kaluar në Siri nga Turqia, ku ka qenë dhe kontakti i tyre i fundit me disa të njohur. Në këtë vend mbërriten nga Perthi, pas ndalesave në Malajzi e Tajlandë.

Një i afërm i 17-vjeçarit i tha të përditshmes britanike “Daily Mail” se të dy djemtë janë krejtësisht të papërgjegjshëm e nuk mendojnë me trurin e tyre.

“Nuk e kuptoj çfarë i ka shkuar nëpër mend. Nuk rrinim me të, ishte bërë tjetër njeri. Këta djem nuk dinë as të luftojnë, ata duhet të qëndronin këtu, të arsimoheshin e të punonin për të ardhmen e këtij vendi”, thotë personi në fjalë.

Videoja, 1 minutë e 43 sekonda e gjatë, me titull “mesazhi i muhaxhidit 4”, është e mbushur me kërcënime për Perëndimin dhe vë në lojë koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që kanë nisur së fundi një fushatë bombardimesh kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Top Channel