Rënia drastike e çmimit të naftës

22/10/2014 00:00

Çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm këto muajt e fundit në tregjet ndërkombëtare, një zhvillim ky që prek më së pari tre vende në raporte jo fort miqësore me Shtetet e Bashkuara: Rusinë, Iranin dhe Venezuelën.

Rënien e kuotimit të arit të zi me gati 20% e rrethojnë spekulime të shumta. Si fillim krizat, ndaj të cilave çmimi i naftës ka ndjeshmëri të lartë.

Rusia, e cila është pjesë e konfliktit në Ukrainë; Iraku, ku vazhdojnë luftimet me islamistët radikalë të Shtetit Islamik; Nigeria, vend i prekur nga Ebola.

Sipas ekspertëve, Moskës i lipset një çmim prej 100 dollarë për fuçi nafte, për të mbajtur në ekuilibër buxhetin e vendit. Aktualisht ai është shumë më pak, 85 dollarë. Buxheti i vendit është defiçitar dhe, po të merren parasysh edhe sanksionet e Perëndimit dhe rritja ekonomike zero, situata paraqitet vërtetë e rëndë.

Disa zëra kanë nisur të heqin paralele me kohën e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, së cilës iu faturua pjesërisht edhe fakti që çmimi i naftës mori asokohe të tatëpjetën.

Sekretari i Këshillit rus të Sigurisë Kombëtare deklaroi se para tri dekadash, SHBA-të shkaktuan më qëllim rënien e çmimit të naftës për ta çuar Bashkimin Sovjetik drejt falimentimit.

Një tjetër spekulim është se rënia e çmimit lidhet me marrëveshjet mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite. Deri tani, kjo e fundit nuk ka shfaqur ndonjë tendencë për stabilizimin e çmimit të naftës përmes uljes së prodhimit. Përkundrazi, në muajin Shtator, ajo e rriti edhe më shumë prodhimin e naftës, e në të njëjtën kohë kundërshtoi  propozimin e Venezuelës për një takim të posaçëm të vendeve prodhuese të naftës, OPEC, kështu që për këtë mbiprodhim nafte mbetet të diskutohet në Nëntor.

Vetë Arabia Saudite, po ashtu ka probleme me një çmim të ulët të naftës, por ky vend ka krijuar rezerva të mëdha deri në 450 miliardë dollarë, të cilat i japin mjaftueshëm kohë në dispozicion për kapërcimin e krizave.

Top Channel