Qeveria, ultimatum 5-ditor për vjedhësit e energjisë

22/10/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama njoftoi se Qeveria do të nisë shumë shpejt një
aksion me dorë të hekurt ndaj atyre që vjedhin energjinë elektrike.

Në një dalje posaçërisht për këtë çështje. Zoti Rama tha se në aksion do të përfshihet Policia e Shtetit, njësoj si në rastin e ndërtimeve pa leje.

“Policia e Shtetit do të përfshihet e tëra dhe ky është një operacion, ku pa as më të voglin dyshim, do të duhet që çdo vjedhës i energjisë, të përballet drejtpërdrejt me ligjin dhe për çdo vjedhës të energjisë, të ketë ndëshkim si për çdo hajdut tjetër”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë njoftoi se aksioni do të nis nga bizneset e mëdha, që vjedhin energjinë elektrike, ndaj të cilave lëshoi edhe një ultimatum.

“Kanë 5 ditë kohë që të rikthehen në binarët e ligjit. 5 ditë kohë përpara se sa trupat e policisë do të lëshohen në territor, njësoj siç u lëshuan në Lazarat dhe nuk do të kthehen nga beteja, deri kur të kenë arrestuar, të kenë çuar përpara gjyqit, hajdutin e fundit të energjisë elektrike, të kësaj kategorie”, theksoi Rama.

Shqipëria humbet cdo vit 150 milionë euro nga vjedhja e energjisë elektrike. Kryeministri ilustroi përmes disa shembujve se një dëm i këtyre përmasave po mban peng të ardhmen e vendit duke penguar realizimin e projekteve jetike.

‘Janë 80 deri 100 kilometra rrugë, që në vend që të ndërtohen vit pas viti, mbeten të pandërtuara, sepse ato para i vjedhin hajdutët e energjisë elektrike. Janë 150 shkolla të reja që mund të ndërtohen me paratë që vjedhin hajdutët e energjisë elektrike; janë 6 spitale të reja moderne, rajonale të standardeve europiane që mund të ndërtohen me paratë që vjedhin hajdutët e energjisë elektrike”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë i cilësoi ata që vjedhin energjinë si armiq të Shqipërisë. Duke nënvizuar se ka ardhur koha që t`i jepet fund kësaj grabitje, të cilën e quajti turp, ai ka lëshuar një parlajmërim të fortë edhe ndaj gjykatësve.

“Mjaft më me historinë që pensionistët duhet të paguajnë edhe për hajdutët e energjisë elektrike. Mjaft më me historinë që e ardhmja e fëmijëve tanë, duhet të mbahet peng nga hajdutët e energjisë elektrike. Do të jemi në një luftë që nuk është parë asnjëherë deri më sot, me cdo hajdut të energjisë elektrike dhe më çdo gjykatës që do të guxojë t’i trajtojë hajdutët e energjisë elektrike, si kalimtarët përpara trupit gjykues dhe do të mjaftohet me gjobat qesharake 2 mijë lekë të vjetra për hajdut, që së bashku i vjedhin këtij populli çdo vit 140 milionë euro”, tha Rama.

Top Channel