Hong Kong, marshim drejt rezidencës së liderit

22/10/2014 00:00

Demonstruesit në Hong Kong kanë marshuar drejt rezidencës së liderit të këtij territori me kritika për qëndrimin tij ndaj reformave demokratike.

Zemërimin e tyre e shtuan komentet e fundit të CY Leung, që pretendon se banorëve më të varfër nuk u duhet lejuar shumë influencë politike.

Tubimet në mbështetje të demokracisë vazhdojnë prej tre javësh në ish-koloninë britanike, ku njerëzit kanë bllokuar disa prej rrugëve kryesore.

Për të parën herë aktivistët dhe zyrtarët qeveritarë u ulën në tryezën e negociatave të martën, por ky raund bisedimesh u mbyll pa asnjë rezultat.

Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se protestuesit që marshuan drejt rezidencës zyrtare të zotit Leung, e njohur ndryshe si Shtëpia Qeveritare, ishin rreth 200.

Shumë prej tyre ishin të irrituar nga deklaratat e zyrtarit në një intervistë të dhënë ditën e hënë, ku ai tha se, zgjedhjet tërësisht demokratike do të çonin drejt politikave populiste.

“Është e gjitha një lojë numrash dhe një përfaqësim numerik dhe nëse bëhet kështu i bie që t’i flasësh asaj gjysme të popullsisë së Hong Kongut që fiton më pak se 1.800 dollarë në muaj”, tha ai.

Këto deklarata nuk u mirëpritën nga protestuesit, sipas të cilëve ato provuan se sistemi politik funksionon në favor të të pasurve, raporton korrespondentja e BBC, Juliana Liu.

Sipas saj, ky pretendim përputhet me faktin se në ishull hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, që është një nga më të lartët në Azi, po rritet.

Top Channel