Korea e Jugut heq pemën e Krishtlindjeve

22/10/2014 00:00

Korea e Jugut hoqi pemën e shumëdiskutuar të Krishtlindjeve në kufirin e saj me Veriun komunist.

Megjithatë, Seuli këmbëngul se motivet e këtij vendimi kanë të bëjnë me shqetësimet në aspektin e sigurisë dhe se nuk kanë për qëllim të kënaqin Penianin.

Pema, që në fakt është një strukturë e hekurt 18 metra e lartë, është mbuluar përherë me drita shumëngjyrëshe dhe në majë ka një kryq.

Korea e Veriut, zyrtarisht ateiste, e ka parë gjithmonë pemën si pjesë të një propagande fetare dhe politike dhe vazhdimisht kërcënonte se do ta rrëzonte atë.

Heqja e objektit vjen një javë pasi oficerë të lartë të dy Koreve u takuan për herë të parë në shtatë vjet. Duke cituar një zyrtar të Mbrojtjes, agjencia jugore e lajmeve “Yonhap” njoftoi se kulla, e ndërtuar në vitin 1971, u hoq pasi rrezikonte të rrëzohej.

Zyrtari hodhi poshtë spekulimet se heqja e saj kishte të bënte me Korenë e Veriut dhe tha se, kulla kishte rezultuar e përkulur gjatë një kontrolli.

Objekti, që ndodhet rreth 3 kilometra larg kufirit, mund të shihet nga qytezat e afërta e të banuara të Koresë së Jugut.

Ajo u kthye në pemë nga grupet e krishtera, që prej disa vitesh vendosnin edhe një kryq gjigand në majë. Veriu e ka akuzuar Jugun se e ka përdorur pemën për të provokuar.

Top Channel