Terrorizmi, Kanadaja ngre nivelin e rrezikut

22/10/2014 00:00

Kanadaja ka ngritur nivelin e rrezikut nga terrorizmi nga “i ulët” në “të mesëm”, edhe pse qeveria ka deklaruar se vendit nuk i kanoset ndonjë rrezik specifik.

Një zëdhënës qeveritar deklaroi se ky vendim ishte një përgjigje ndaj rritjes së bisedave me temë ekstremizmin islamik në forumet online, ku theksi vihej tek Shteti Islamik dhe Al Kaeda.

Ditën e martë, një i ri i konvertuar në mysliman u vra nga policia në Kebek pasi qëllimisht shtypi me automjetin e tij dy oficerë ushtarakë, duke vrarë njërin prej tyre dhe plagosur tjetrin.

“Ky ishte një akt i tmerrshëm dhune ndaj vendit tonë. Një sulm i lidhur qartazi me ideologjinë terroriste”, komentoi ngjarjen ministri i Rendit Publik, Steven Blaney.

Zëdhënësi i ministrit, Jean Christophe de Le Rue deklaroi se rritja e nivelit të rrezikut do të thotë se, “shërbimet sekrete kanë konstatuar se një individ apo grup i caktuar, brenda apo jashtë Kanadasë, është i prirur të kryejë një akt terrorizmi”.

Ushtaraku që humbi jetën të martën pasi u shtyp me makinë ishte oficeri Patrice Vincent, me një karierë 28-vjeçare në forcat e armatosura kanadeze.

Ai u godit për vdekje nga 25-vjeçari Martin Couture Rouleau, një nga 90 personat e dyshuar si militantë që po gjurmohen nga autoritetet kanadeze të sigurisë.

Pasi goditi oficerët, i riu u largua dhe u ndoq me shpejtësi të lartë për rreth 4 kilometra nga policia, derisa automjeti i tij doli nga rruga dhe u rrokullis disa herë.

Më pas ai doli nga makina me një thikë në dorë dhe policia hapi zjarr ndaj tij. Couture Rouleau u dërgua në spital, ku vdiq vetëm pak orë më vonë.

Top Channel