Elbasan, aksident i rëndë nga pakujdesia

22/10/2014 00:00

Një person ka humbur jetën ndërsa katër të tjerë janë plagosur rëndë teksa makina me të cilën udhëtonin është përfshirë në një aksident të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës në aksin Belsh-Dragot, pranë fshatit Gradishtë ku mjeti tip Fiat me targa EL 2028 C ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal.

Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Jani Baku, ndërsa drejtuesi i mjetit Indrit Buzani është plagosur rëndë. Gjithashtu kanë marrë plagë të rënda edhe Dhimitër Buzani, bashkëshortja e tij Anxhela dhe 7-vjeçarja me inicialet L. S.

Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Elbasanit nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes së rëndë, por paraprakisht bëhet me dije se dyshohet që aksidenti ka ndodhur për shkak të humbjes së vëmendjes nga ana e drejtuesit dhe për pasoje mjeti ka dalë nga rruga duke rënë në një kanal.

Top Channel