Siria përshkallëzon sulmet ndaj rebelëve

22/10/2014 00:00

Ushtria siriane ka përshkallëzuar bombardimet ajrore ndaj bazave të rebelëve në veri-perëndim të vendit.

Siç raporton Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër vetëm në dy ditët e fundit janë ndërmarrë më shumë se 200 sulme ajrore nga avionët e ushtrisë së Bashar al-Assad. Obseravtori deklaroi se nga sulmet ka patur mjaft viktima, por pa përcaktuar një shifër të përafërt.

Sulmet e Damaskut mbërrijnë në një kohë kur koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka ndërmarrë një sërë bombardimesh ndaj militantëve të ISIS-it në qytetin kurd sirian Kobane.

Sipas analistëve, bombardimet synojnë të dobësojnë rezistencën e rebelëve të moderuar që mbështeten nga Perëndimi, para se të marrin armatime apo ndonjë mbështetje tjetër të mundshme prej aleatëve.

ISIS përparoi ndjeshëm gjatë javës së kaluar, por në fundjavë dhe në fillim të kësaj jave forcat kurde të ndihmuara edhe nga bombardimet amerikane i stepën ekstremistët, të cilët pavarësisht kësaj vazhdojnë të mbajnë të rrethuar qytetin kufitar me Turqinë.

Dy ditë më parë Turqia njoftoi hapjen e kufijve të saj për luftëtarët kurdë që dëshirojnë t’i bashkohen mbrojtjes së Kobanes kundër ISIS-it. Vendimi u mirëprit nga vendet perëndimore, por edhe nga qeveria e Republikës Autonome Kurde në Irak, parlamenti i së cilës vendosi ditën e martë dërgimin e njësive të para Peshmerga kundër ISIS-it.

Top Channel