`Luftë` në parlamentin kanadez

22/10/2014 00:00

Parlamenti kanadez në Otaua dhe rrethinat e tij u shndërruan në një arenë beteje të armatosur mes forcave të sigurisë dhe të paktën tre personave të dyshuar si autorë të sulmeve.

Ngjarjet mbërrijnë pak pasi parlamenti vendas vendosi rritjen e nivelit të alarmit ndaj sulmeve terroriste, masë e ndërmarrë pas aksidentit të qëllimshëm ndaj dy ushtarëve që gjetën vdekjen.

Të shtënat nisën në Muzeun Kombëtar të Luftës kur një person hapi zjarri ndaj një ushtari roje, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe më pas ndërroi jetë në spital.

Për shkak të afërsisë me godinën e parlamentit, forca të shumta policore rrethuan vendin e ngjarjes dhe nisën kontrollet e imtësishme nëpër korridoret dhe dhomat e parlamentit. Këtu u regjistrua një shkëmbim zjarri që zgjati disa minuta.

Mbi 30 të shtëna me armë janë dëgjuar në ambientet e brendshme të godinës, ndërsa ligjvënësit dhe punonjësit e tjerë të parlamentit dolën jashtë mes panikut.

Në godinë ndodhej edhe Kryeministri Stephen Harper, zyra e shtypit e të cilit njoftoi pak minuta më vonë se kryeministri ishte larguar nga parlamenti dhe ndodhej shëndoshë e mirë.

Sulmi kapi në befasi autoritetet e sigurisë, të cilat fillimisht folën për një agresor, ndërsa më vonë numri shkoi në tre. Njëri prej tyre mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë në ambientet e parlamentit.

Pak minuta pas të shtënave në parlament, krisma u dëgjuan në një qendër tregtare të ndodhur vetëm 1 milje larg sallës së ligjvënësve. Edhe këtu forca të shumta policore mbërritën menjëherë. Lajmet fillestare janë kaotike mbi numrin e autorëve të sulmit.

Zyrtarët kanadezë thanë se është ende herët për të drejtuar gishtin diku si autorë të sulmit, ndërsa shërbimet inteligjente njoftuan se nga mbikqyrja e faqeve të lidhura me ekstremistët islamikë askush nuk ka marrë përsipër autorësinë.

Top Channel