Gjyqi ndaj Frrokut, flet dëshmitari i mbrojtur

22/10/2014 00:00

Për katër orë rresht dëshmitari i mbrojtur nga shteti në çështjen kundër Arben Frrokut u qëndroi deklaratave paraprake dhënë për grupin e hetimit, duke rënduar në këtë mënyrë pozitën e të pandehurit nën akuzë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

“Unë e pashë ngjarjen, ndodhesha në lagjen ku ndodhi krimi sepse kisha shtëpinë aty pranë dhe atë natë kisha dalë shëtitje me familjen. Kur u qëllua mbi Lamajn isha gati 15 metra larg automjetit tip “BMW”, nga i cili u qëllua. Pashë që në timonin e makinës prej nga u qëllua me armë zjarri ishte Arben Frroku. E identifikova që ishte ai pasi e njihja më parë”.

Ky ka qenë thelbi i dëshmisë së dëshmitarit të mborjtur, i cili u pyet nga palët gjatë një seance me dyer të mbyllura nëpërmjet video-konferencës.

Dëshmitarit, thanë burimet, iu la vetëm zëri t’i dëgjohej, ndërkohë që pamja fizike e tij ishte e mbuluar për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset jetës së tij, edhe pse së fundmi emri i tij i vërtetë dhe emri i ri që ka marrë me vendim gjykate u publikuan në media.

Pas kësaj dëshmie, e cila në fakt u zvarrit për disa kohë për arsye jo fort të qarta, doli në pah, thanë burimet, se në fakt dëshmitari i mbrojtur kishte treguar vetë pranë autoriteteve se çfarë kishte parë natën që u vra kryekomisari Lamaj dhe se atij nuk i ishte bërë asnjë ofertë nga organi i akuzës në mënyrë që të dëshmonte për llogari të drejtësisë.

Top Channel