Ministria e Brendshme: Ristani, akuza imagjinare

22/10/2014 00:00

Pas denoncimit të bërë nga deputetit demokrat Arben Ristani, se kreu i një organizate kriminale i shpëtoi arrestimit të policisë pasi u mor në mbrojtje nga një deputet i mazhorancës në Shkodër, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka hedhur poshtë akuzat.

“Policia e Shtetit ka treguar e do vazhdojë të tregojë se nuk ka më të paprekshëm dhe as të privilegjuar. Nuk ka më të fortë që mund t’i bëjnë bisht ligjit, as me pushtet dhe as me para, as me mandat deputeti, qoftë djathtas e qoftë majtas dhe as me imunitet familjar të cilitdo lloji e kategorie”, thuhet në reagimin për shtyp.

Përmes njoftimit MPB hedh poshtë akuzat duke thënë se, Policia e Shtetit nuk është redaksi gazete dhe as tribunë partie që të japë lajme për operacione në zhvilim apo hetime që janë ende në vazhdim.

“Sigurisht që kur në emër të opozitës akuzon për krime të imagjinuara apo të prezumuara nga deputetët e shumicës, një deputet që ka bërë burg për mashtrim, kjo e ul shumë besueshmërinë e akuzave. Por sidoqoftë, ne si shumicë kemi treguar se çdo emër e verifikojmë dhe marrim vendimin e duhur, në mbrojtje të të akuzuarit kot ose në ndjekje të të akuzuarit plot”, mbyllet reagimi i Ministrisë së Brendshme.

Top Channel