Ndërsa komuniteti myslyman e sheh të vështirë ndërhyrjen në xhaminë e Unazës së Re në Tiranë, veçanërisht në kulmin e hetimeve që po zhvillohen nga Krimet e Rënda, imami i kësaj xhamie Armand Ali thotë se askush nga komuniteti nuk ka trokitur në këto ambjente për të diskutuar.

Në këtë xhami, më të lakuarën që prej muajit mars 2014, atëherë kur u arrestua dhe imami Genci Balla, besimtarët vijojnë të ndjekin ritet e besimit. Balla është zëvendësuar nga besimtarët me një imam tjetër, i diplomuar në Arabinë Saudite e që shfaqet i hapur me mediat.

“Komuniteti nuk ka pasur asnjëherë kërkesë zyrtare. Nuk kemi qenë ndonjëherë të mbyllur. Ka vend për diskutim, nëse ka pika që ia vlejnë për të dyja palët”, thotë Ali, i cili shton se pas arrestimit të parardhësit të tij nga xhamia janë larguar ndjekësit e mësimeve të Kur’anit.

“Pas arrestimit ka pasur probleme, disa prindër i hoqën fëmijët, ndaj kemi vendosur njoftime për fëmijët, që të mësojnë Kur’anin si në çdo xhami tjetër. Është ndërprerë përkohësisht kursi, por nuk ka asgjë serioze”, deklaron Ali.

Por ndërsa ky imam përmendet në raportet e Shërbimit Informativ si një person që predikon xhihadizmin, duket se mes tyre po luhet një lojë durimi duke qenë se edhe agjentët sekretë, siç thuhet, janë bërë të njohur për ta.

“Jo vetëm njerëzit normal, por gjithë punonjësit e SHISH-it që ne i shohim i njohim me emër e mbiemër. Ata vijnë dhe bëjnë sikur falen, por megjithatë ne i presim dhe sillemi njësoj me ta”, tregon imam Aliu.

Imami i kësaj xhamie nuk jep asnjë koment se si e shikon përfshirjen e shqiptarëve në luftimet në Siri, pasi sikurse shton, nuk ka asnjë informacion të besueshëm për këtë gjë. “Nuk i njoh me hollësi. Si fytyrë njoh një person. Di që ka qenë andej dhe tani është kthyer”, tregon ai.

Top Channel