Reali mposht Liverpulin dhe paralajmëron Barçën

22/10/2014 00:00

Reali i Madridit ka arritur një fitore të pastër me rezultatin 0-3 në “Anfield” ndaj vendasve të Liverpulit, në kryendeshjen e kësaj mbrëmje në Champions League.

Të besuarve të italianit Ancelotti i kanë mjaftuar vetëm 45 minutat e parë për të mbyllur ndeshjen. Ishte i përhershmi Ronaldo, ai i cili hapi ndeshjen në minutën e 23-të, pas një aksioni model e dërgoi topin në rrjetën e vendasve. Më pas, Benzema me dy gola e tij vulosi takimin në 3-0.

Në 45 minutat e dyta, pavarësisht përpjekjes së vendasve për të shënuar të paktën golin e nderit, rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë fitore Reali udhëheq grupin B me 9 pikë dhe tregon se është në formë të shkëlqyer para “El Clasico”-s së të shtunës ndaj Barcelonës. Po në këtë grup u luajt edhe ndeshja mes Ludogorets dhe Bazel e mbyllur 1-0. Taulant Xhaka ishte në formacionin bazë të zviceranëve, ndërsa Shkëlzen Gashi nuk u aktivizua.

Në Greqi, Olimpiakosi mposhti kampionët e Italisë, Juventusin, me një gol të shënuar nga lojtari me origjinë shqiptare, Pajtim Kasami, i cili festoi duke formuar me duart e tij shqiponjën dykrenare. Me këtë humbje Juventusi komplikon situatën e tij në grupin A, pasi ndodhet në vendin e tretë me 3 pikë. Ndërsa kryesojnë grupin Olimpiakosi dhe Atletiko Madrid, e cila fitoi 5-0 ndaj suedezëve të Malmo.

Anderlehti, i drejtuar nga Besnik Hasi, u mund në shtëpinë e tij nga Arsenali, me rezultatin 1-2. Të tre golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë. Po në këtë grup, Gallatasarai zhgënjeu sërish në shtëpinë e tij, pasi u mposht 0-4 nga Dortmundi.

Mbrëmjen e së mërkurës u luajtën edhe ndeshjet e grupit C, ku Bajer Leverkusen fitoi 2-0 ndaj Zenitit, ndërsa në Francë, ndeshja mes Monakos dhe Benfikas u mbyll 0-0.           

Top Channel