Ebola, Obama: Ka shenja përmirësimi

23/10/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama është shprehur optimist rreth situatës së Ebolas në Shtetet e Bashkuara pas masave të reja kundër virusit vdekjeprurës.

Sipas Presidentit të Shteteve të Bashkuara edhe në Liberi, vendi më i prekur nga virusi në Afrikën Perëndimore, ka shenja përmirësimi. Deri tani kanë humbur jetën 4877 persona nga virusi i Ebolas, vetëm javën e fundit kanë vdekur mbi 320 persona. Këto shifra janë bërë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shumica e viktimave kanë vdekur në tre shtete të Afrikës së Perëndimore, Liberi, Guine dhe Sierra Leone.

Obama foli gjatë takimit të tij me kreun e ekipit të sapo formuar kundër Ebolas, Ron Klain. Ai vuri në dukje se të afërmit e Thomas Eric Duncan, viktimës së vetme të virusit në SHBA, tashmë janë liruar nga karantina në Teksas. Gjithashtu, Obama tha se edhe gjendja shëndetësore e dy infermiereve, të cilat u infektuan nga kontakti me Thomas Eric Duncan, është përmirësuar.

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare u ka kërkuar të gjithë pasagjerëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara nga Liberia, Guinea, apo Sierra Leone të futen në vend përmes një prej pesë aeroporteve të pajisur me kapacitete për të diagnostikuar sëmundjen vdekjeprurëse.

Top Channel