Studentët e zhdukur në Meksikë

23/10/2014 00:00

Qeveria meksikane ka urdhëruar arrestimin e krybashkiakut të qytetit jugor të Iguala-s, ku 6 persona janë vrarë dhe 43 studentë u zhdukën pas përleshjeve me policinë lokale muajin e kaluar.

Kryeprokurori i Meksikës tha se Jose Luis Abarca urdhëroi operacionin policor për të ndaluar studentët, të cilët kishin ndërprerë një aktivitet të organizuar nga bashkëshortja e tij.

Mediat vendase raportojnë se kryebashkiaku është arratisur së bashku me bashkëshorten, Maria Pineda, e cila dyshohet edhe për lidhje me një bandë lokale të drogës.

Oficerë të shumtë, të akuzuar për lidhje me bandat e drogës, u arrestuan pas akteve të dhunës që lanë të vdekur gjashtë persona. Thuhet se oficerët e policisë i dorëzuan studentët te bandat e drogës.

Studentët ishin zhdukur që nga përleshjet e 26 shtatorit me policinë. Ata kishin udhëtuar për në Iguala për të protestuar për më shumë fonde për kolegjin e tyre, por teksa ata po largoheshin, policia hapi zjarr në drejtim të autobusëve. Gjashtë persona, 3 prej tyre studentë, u vranë. Ndërsa 43 të tjerë u shpallën të zhdukur në ditët në vijim.

Zbulimi i disa varreve masive ka ngritur shqetësime në lidhje me fatin e studentëve. Por testet e ADN-së treguan se ata nuk ishin në mesin e 30 trupave që janë analizuar deri tani.

Qeveria meksikane ka ofruar një shpërblim prej 110 mijë dollarësh për informacione mbi vendndodhjen e tyre.

Top Channel