UEFA shtyn vendimin për Serbi-Shqipëri, do të jepet të premten

23/10/2014 00:00

UEFA ka vendosur që ta shtyjë për të premten në mëngjes, vendimin për çëshjen e dhunës gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, e ndërprerë në minutën e 41-të, pas hedhjes së fishekzajrreve dhe dhunës së tifozëve serbë ndaj lojtarëve shqiptarë.

Pala shqiptare u njoftua rreth orës 13:00 të ditës së enjte, se vendimi do të publikohet mëngjesin e së premtes, pa dhënë shumë shpjegime dhe arsyetime rreth kësaj shtyrjeje.

Burime konfidenciale për Top Channel pranë UEFA-s bëjnë të ditur se shkak për shtyrjen e vendimit është ndeshja e “Europa League”, Partizani i Beogradit-Beshiktash. Për këtë sfidë, tifozët turq kishin paralajmëruar shpalosjen e flamujve shqiptarë dhe kosovarë në stadium, madje këtë kanë bërë edhe paraditen e së enjtes, para stadiumit ku do të luhet sfida.

Mediat serbe i kanë kërkuar tifozëve të Partizanit të mos bien pre e provokimeve të huliganëve turq, pasi çdo veprim i dhunshëm i tyre mund të ndikojë për keq në vendimin, që UEFA do të japë mëngjesin e së premtes.

Vlen të përmendet se Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka në dorë dosjet e palës shqiptare dhe asaj serbe që prej datës 21 Tetor, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ata kanë grumbulluar informacionet e tyre dhe kanë gjithashtu relacionet e zyrtarëve të ndeshjes. Po ashtu kujtojmë se pala serbe akuzohet në këtë çështje për disa pika, duke filluar nga dështimi i masave organizative, te hyrja e tifozëve në fushë, goditja e lojtarëve të skuadrës së Shqipërisë dhe koret raciste. 

Ndërsa pala shqiptare është akuzuar për refuzim të futjes në lojë pas ndërprerjes së ndeshjes dhe hyrjen e dronit me banderolën me simbolet shqiptare. Pala jonë, e përfaqësuar nga një studio zvicerane është paraqitur në Komisionin Disiplinor të UEFA-s me kërkesën e 3-pikëve në tavolinë dhe duke akuzuar palën serbe për racizëm.

Një ditë më parë, gjatë një interviste në Top Channel, presidenti i FSHF-së Armand Duka ka theksuar se është i sigurt që Shqipëria do të fitojë ndeshjen në tavolinë, pasi sipas tij të gjitha relacionet e zyrtarëve të ndeshjes kanë qenë në favorin tonë. Megjithatë, Duka shtoi se nëse vendimi nuk është ashtu siç e presim ne, Federata do të apelojë në Komisionin e Apelit në UEFA.

Top Channel