Ndëshkimi i vjedhësve të energjisë ngec te drejtësia

23/10/2014 00:00

Të dhënat zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike
tregojnë se lufta ndaj atyre që vjedhin energjinë po pengohet edhe nga
sistemi i drejtësisë. Sipas të dhënave, vetëm gjatë këtij viti Operatori
i shpërndarjes ka çuar për ndjekje penale në prokurori 1512 raste për
vjedhje energjie, ku përfshihen konsumatorë familjarë, por edhje
privatë.

Por nga këto ka përfunduar gjykimi dhe është marrë vendim vetëm për 103 raste ose më pak se 6.8 për qind të tyre. Pjesa tjetër zvarritet në hallkat e sistemit të drejtësisë, qoftë në prokurori apo dyert e gjykatave.

Por edhe për ato raste, për të cilat ka përfunduar procesi i gjykimit, pjesa më e madhe e dënimeve sipas shifrave të shpërndarjes janë me gjobë ose dënime me kusht. Vetëm në 40 raste gjykatat kanë dhënë dënim me burg për ata që janë kallëzuar për vjedhje energjie. Kjo është më pak se 2.6 për qind e totalit të kallëzimeve qe Operatori i Shpërndarjes ka bërë në prokurori. Këto shifra duket se janë dhe arsyeja kryesore se pse një ditë më parë kryeministri Rama paralajmëroi sistemin e drejtësisë dhe vecanërisht gjykatësit, që të mos pengojnë, luftën ndaj atyre që vjedhin energjinë, me vendime, duke dhënë vendime sipas tij qesharake, por t`i përmbahen ligjit.

Një ditë më parë vetë kryeministri lajmëroi se shumë shpejt do të nis një aksion i gjerë në gjithë territorin e vendit për të ndëshkuar abuzuesit me energjinë, të cilët sipas të dhënave zyrtare vjedhin më shumë se 150 milionë euro energji në vit.

Top Channel