Rritje e re e taksës mbi qarkullimin

23/10/2014 00:00

Qeveria po përgatit një tjetër rritje të taksave mbi karburantin. Burime
nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se një nga variantet që
po diskutohet në paketën e re fiskale është edhe ai i rritjes me 10
lekë të tjera i taksës mbi qarkullimin, të cilët qytetarët e paguajnë në
çmimin final të karburanteve.

Aktualisht taksa e qarkullimit është 17 lekë për litër dhe me rritjen e re ajo do të shkojë në 27 lekë, duke tentuar kështu të cekë nivelin e akcizës. Vitet e fundit karburantet kanë qenë një nga burimet më të preferuara të taksimit për të gjitha qeveritë.

Kjo politikë konstante e rritjes së taksave mbi naftën dhe benzinën ka bërë që sot në cdo litër karburant qytetarët të paguajnë 86.86 lekë si taksa për qeverinë.

Por ku qëndron Shqipëria në raport me vendet e tjera? Top Channel referon shifrat zyrtare nga Bashkimi Europian. Aktualisht një litër karburant në vendin tonë shitet rreth 190 lekë. Nga këto, 52 për qind janë kosto dhe fitim i tregtarëve ndërsa 48 për qind janë taksa që i shkojnë Qeverisë. Me rritjen e re, pesha e taksave në çmimin fundor që paguajnë konsumatorët shkon në mbi 53 për qind. Kjo e ben Shqipërinë nje nga vendet qe takson karburantet.

Sipas Eurostat, sot në gjithë Bashkimin Europian vetëm tre vende kanë një peshë më të lartë taksash mbi karbarntet se sa Shqipëria, përkatësisht Italia, Britania dhe Suedia. Në të gjitha vendet e tjera, pesha e taksave në çmimin e karburanteve është më e ulët se 50 për qind. Politika e rritjes së vazhdueshme të taksave mbi naftën dhe benzinën së bashku me strukturën monopol të tregut, e faktuar qartë nga tendenca e fundit e cmimeve, ka sjellë edhe një tjetër rezultat.

Atë që qytetarët shqiptarë, ndonëse janë ndër më të varfërit në Europë, e blejnë sot karburanin më shtrenjtë se sa fqinjët e tyre të pasur në shumë vende të BE-së duke përfshirë këtu edhe Gjermanine. Ndoshta për autoritetet taksa mbi karburantet është një metodë e lehtë për të mbledhur të ardhura, por sic tregojnë dhe të gjitha shifrat, Shqipëria është duke e shtypur fort pedalin e taksimit tek nafta dhe benzina, dy produkte që kanë ndikim zinxhir jo vetëm tek transporti por në gjithë ekonominë.

Top Channel