Zbulohet avioni spiun rus mbi Estoni

23/10/2014 00:00

Një avion spiun rus është interceptuar nga reaktivët e NATO-s mbi detin Balltik, në mesin e tensioneve të përshkallëzuara në këtë rajon.

Estonia thirri ambasadorin e Rusisë për t’i kërkuar shpjegime pasi forcat e saj ushtarake njoftuan se avioni “Ilyushin-20” ka qëndruar në hapësirën ajrore të këtij vendi për rreth 1 minutë.

Moska, si përherë në mbrojtje, pretendon se bëhej fjalë për një fluturim stërvitor dhe se për asnjë çast nuk e ka shkelur hapësirën ajrore estoniane. Nëse rezulton i vërtetë, incidenti nuk do të ishte i vetmi i këtij lloji.

Në fakt, Rusia është akuzuar disa herë për shkelje kufiri në rajon. Konflikti në lindje të Ukrainës, i ushqyer sipas Perëndimit prej Moskës që mbështet separatistët kundërshtarë të Kievit, është arsyeja e një sërë sanksionesh ndaj individësh e kompanish të rëndësishme ruse, si dhe bllokimit të mallrave të BE-së si kundërpërgjigje ndaj shtrëngimeve ekonomike të bllokut europian e SHBA-ve.

Javën që shkoi, Suedia nisi kërkimin e një nëndetëjese të diktuar në ujërat e saj në jug të Stokholmit. Dyshimet janë të mëdha se bëhet fjalë për një nëndetëse ruse. Vetë Estonia muajin e kaluar akuzoi Moskën për rrëmbimin e një oficeri sigurie në kufi.

NATO arrin të shpjegojë edhe dinamikën e incidentit të fundit me detajet e ofruara shtypit, ku tregon se avioni “Iljushin” u ngrit në ajër të martën nga enklava bregdetare e Kaliningradit e fillimisht është pikasur nga avionët “F16” danezë duke iu afruar Danimarkës, përpara se të kthehej e të vazhdonte fluturimin në veri drejt Suedisë.

Kur është diktuar nga avionët suedezë, “Iljushin” ka hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë, ku ka qëndruar rreth një minutë dhe është larguar prej andej i shoqëruar nga disa “F16” portugezë.

Top Channel