Mazhoranca bën lëshime për opozitën

23/10/2014 00:00

Mazhoranca i thotë ‘po’ kërkesave të opozitës për t’u rikthyer në Kuvend.

Për të kundërshtuar pretendimin e opozitës, se po kërkohet asgjesimi i saj në Parlament, Gramoz Ruçi lexoi statistikat e sesionit të shkuar, sipas të cilave opozita rezulton me 30 minuta më shumë kohë diskutimi në Kuvend, duke sjellë në këtë pikë edhe detajin e rekordit në historinë 25-vjeçare të Kuvendit, i cili sipas Ruçit është mbajtur nga nga Sali Berisha, me plot 12 orë e 46 minuta sesionin e shkuar, ndërsa kryeministri Rama regjistron 5 orë e 23 minuta.

Megjithatë, Gramoz Ruçi u deklarua i hapur për ndryshimin e rregullores në këtë pikë, pavarësisht se opozitës së djeshme, tha ai, i ishte mohuar për dy vjet e njëjta kërkesë.

“Ne, atë që kemi kërkuar për veten, absolutisht jemi dakord që të respektohet. Pra, ndryshimi në rregulloren për të marrë fjalën kreu i opozitës, menjëherë për të replikuar me kryeministrin e vendit, të vendoset sot në rendin e ditës dhe të miratohet”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist, Ruçi.

‘Po’ i ka thënë mazhoranca edhe kërkesës tjetër të opozitës, asaj për ngritjen e komisioneve hetimore, për të cilën Gramoz Ruçi bëri sqarimin se kampi politik që i përket nuk ka qenë kundër këtyre kërkesave dhe i mbetet të njëjtit qëndrim.

“Ne jemi plotësisht dakord që të zbatohet Kushtetuta dhe kërkesat e ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore, prandaj ne kërkojmë që qasja e opozitës në dy komisionet hetimore, si atë të tatimeve edhe atë për administratën publike, të përfshihen sot për t’u miratuar në rendin e ditës dhe të ngrihen komisionet e kërkuara”, deklaroi Gramoz Ruçi.

Kryeministri Rama gjeti rastin t’i përsërisë opozitës të njëjtën ofertë për atë që ajo ka vendosur në krye të aksionit të saj opozitar dhe që e quan dekriminalizimin e Parlamentit. Por paradoksi i kësaj opozite, tha Rama, është pikërisht fakti se në krye të kësaj fushate është vendosur një ish i dënuar nga gjykata.

“Gjendemi përpara një argumenti që përsëri i takon opozitës ta bëjë këtë. Dhe nëse opozita kërkon, që për gjëra të prezumuara, të imagjinuara, apo të tejkaluara plotësisht në filtrin e institucioneve ligjzbatuese, njerëzit duhet të ulin kokën e të mbajnë përgjegjësi, çfarë duhet të bëjmë pastaj si Kuvend me këtë të burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion që e kemi pjesë të Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi nga foltorja e Parlamentit, kryeministri Rama.

Top Channel