Gratë, më shumë të papuna se burrat

23/10/2014 00:00

Studimet e fundit tregojnë se mbi 50% e grave në Shqipëri janë të papuna.

Një pjesë e madhe e tyre nuk regjistrohen si të tilla, ndaj në studimet zyrtare rezultojnë më shumë meshkuj se femra të papuna.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se një tjetër problem mbetet edhe hendeku në pagë mes femrave dhe meshkujve, për të njëjtën punë.

“Një statistikë nga studimi i fundit ishte shokuese, 50% e grave nuk marrin pjesë fare në tregun e punës, duke u vetëquajtur apo u vetemëruar si shtëpiake dhe as nuk tentojnë, apo nuk janë të inkurajuara, të shkojnë në një ndërmarrje për të aplikuar për punë apo për t’u përfshirë si punëkërkuese në programin e punësimit”, u shpreh ministri Veliaj.

Drejtori i INSTAT-it, Gjergj Filipi tha se, ndryshe nga shumë vite më parë, tanimë numri i vajzave dhe djemve që vijojnë shkollën e mesme dhe më pas atë të lartën janë duke u balancuar.

“Më herët kemi pasur femrat që vazhdonin masivisht shkollën e mesme, ndërsa djemtë e braktistin masivisht atë. Kjo tendencë në vitet e fundit pasqyrohet e ndryshuar. Tashmë kemi më shumë meshkuj që përfundojnë studimet e shkollës së mesme, se sa femra, ndërsa nëpër universitete pjesa më e madhe e të regjistruarve për të vazhduar studimet e larta dominohen nga femra. Në vitet e fundit vërehet një balancim në lidhje me këtë shifër”, deklaroi drejtori i Institutit të Statistikave, Filipi.

Edhe pse nuk thuhet me zë të lartë, pjesa më e madhe e sipërmarrësve preferojnë një burrë në vend drejtues, se sa një femër.

Top Channel