Lindje e Mesme, tensione në Jeruzalem

23/10/2014 00:00

Tensionet në Jeruzalem janë rikthyer e bashkë me to edhe zymtësia që rrethon mundësinë e një rikthimi në binarë të procesit të paqes mes dy palëve.

Një foshnje 3-muajshe humbi jetën dhe 8 persona u plagosën kur makina e drejtuar prej një palestinezi përplasi një grup njerëzish në një stacion tramvaji.

Drejtuesi i automjetit, i identifikuar si Adbel-Rahman Shaloudi, u qëllua nga forcat e policisë ndërsa tentonte të largohej nga vendngjarja në këmbë.

I riu 21-vjeçar është nipi i një prodhuesi të njohur bombash për Hamasin, të vrarë në Bregun Perëndimor në vitin 1988.

Televizion izraelit ‘Channel 2’ menjëherë doli me pretendimet se lëvizja islamike ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndonëse Hamasi vetë nuk ka bërë asnjë pohim zyrtar.

Ngjyrimet e dhëna këtij episodi shkuan edhe më larg se kaq. Nëpërmjet zëdhënësit të tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu fajësoi presidentin e moderuar të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas për ngjarjen, me pretendimin se ka inkurjauar incidente të tilla.

“Ky akt terrori në Jeruzalem, një sulm ndaj një nëne e ndaj foshnjës së saj është vepër tipike e Hamasit, partneri i presidentit Abbas në qeverinë palestineze. Fatkeqësisht, presidenti Abbas vazhdon të përdorë një retorikë dhunëndjellëse kundër izraeliteve dhe e bën këtë në një kohë kur duhet të ishte faktor për paqen dhe pajtimin”, deklaroi zëdhënësi Mark Regev.

Nga forca e përplasjes fëmija, siç tregon gjyshi i saj, u ngrit 10 metra në ajër dhe ra përdhe me kokë. Kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat tha se vajza tremuajshe dhe prindërit e saj ishin qytetarë amerikanë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki e dënoi ashpër sulmin terrorist në jeruzalem, siç e quajti ajo, por në të njëjtën kohë i kërkoi të gjitha palëve të ruajnë qetësinë e të shmangin çdo përshkallëzim të situatës.

Top Channel