“Microsoft” ka vendosur t’ia kalojë historisë emrin Nokia, të paktën në sektorin e prodhimit të telefonave.

Gjiganti amerikan i teknologjisë, që përfundoi blerjen e sektorit të telefonisë së kompanisë finlandeze për 7.2 miliard dollarë në muajin mars të këtij viti, vendos të ndryshojë emrin.

Tashmë seria më e suksesshme e “Nokia”-s në tregun e telefonave inteligjentë, ajo Lumia, nuk do të mbajë më përpara emrin tradicional finlandez.

Ndryshimi do të prekë prodhimet ekzistuese në treg dhe ato pasardhëse dhe do të nisë nga Franca ku sistemi “Windows Phone” do të përditësohet me emrin e ri “Microsoft Phone”.

Vendimi i “Microsoft” është i papritur edhe për vetë kompaninë finlandeze e cila më parë kishte marrë një garanci se emri nuk do të ndryshonte për 10 vitet e ardhshme. Megjithatë kjo lëvizje e kompanisë së Bill Gates nxjerr në pension “Nokia”-n sa i përket pajisjeve dhe jo në fushën e hartave dhe infrastrukturës së rrjeteve ku do të vazhdojë aktivitetin e saj.

Top Channel