Ulja e libidos femërore? Faji i plastikës

23/10/2014 00:00

Në shoqërinë moderne rënia e dëshirës seksuale të femrave është një shqetësim që ndërlikon marrëdhëniet e jo pak çifteve.

Stresi, ankthi apo shqetësime të tjera fizike e mendore janë fajësuar për rënien e libidos femërore, por së fundmi studiuesit amerikanë kanë gjetur “fajtorin e vërtetë”; plastikën dhe sidomos substancat kimike të përdorura për të rritur elasticitetin e saj.

Një grup shkencëtarësh të Universitetit Mjekësor të Roçesterit në SHBA paraqiti në konferencën vjetore “Mjekësia Riprodhuese e Shoqërisë Amerikane” të mbajtur në Honolulu studimin e tyre.

Sipas këtij studimi, rënia e dëshirës dhe interesit seksual tek femrat shkaktohet nga prezenca në shtëpi apo ambientet e punës e objekteve prej plastike. Këto objekte, sipas studimit, çlirojnë substanca kimike që pengojnë prodhimin e hormoneve natyrale femërore.

Shkencëtarët besojnë se këto substanca ndikojnë në prodhimin e hormoneve estrogjen dhe testosteron, që të dy të lidhur ngushtë me libidon femërore.

Në studim u pëfshinë 360 femra të moshës nga 20 deri në 30 vjeç. Në bazë të analizave, sa më e lartë të ishte doza e substancave që organizmi kishte marrë nga kontakti me lëndët plastike, kryesisht qeseve, apo edhe nëpërmjet ajrit, aq më e ulët ishte dëshira seksuale, dhe e anasjellta.

Rreziku që vjen nga substancat kimike të çliruara nga disa lëndë plastike, veçanërisht qeset, është vlerësuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila në një raport të sajin ka kërkuar një rregullim ligjor për kufizimin e përdorimit të ambalazheve plastike.

Top Channel