Tragjeditë e detit, “plaga” që nuk mbyllet kurrë

23/10/2014 00:00

Ishin të rinj, që dëshironin një jetë më të mirë se ajo që po përjetonin gjatë atyre ditëve, ose mbase një jetë më të sigurt, ku dhuna dhe plumbat, që ishin kthyer në një ritual të zakonshëm, të hiqnin shpresën se situata mund të përmirësohej.

Firmat piramidale, kriza ekonomike dhe armët e zjarrit, që mund t’i kishte kushdo në duar, e kishin kthyer Shqipërinë në një vend të pajetueshëm, ku deti shihej si “shpëtimi” për të shkuar sa më larg.

Ishin afro 120 persona, kryesisht nga Vlora, të cilët më 28 Mars 1997 u nisën drejt Italisë, për t’i shpëtuar gjendjes së rëndë që ishte krijuar. Anija “Kateri i Radës”, që u nis atë të premte nga Vlora, disa orë më pas u godit nga një anije luftarake italiane, duke çuar në mbytjen e saj.

86 trupa të pajetë u gjetën pas nxjerrjes në sipërfaqe të anijes, tetë muaj më pas, ndërsa 34 të tjerë nuk u gjetën kurrë.

Tragjedia e Otrantos konsiderohet si tragjedia më e madhe e detit, por jo e vetmja. Ajo e 9 Janarit 2004 në Karaburun, ku 28 persona nga rrethi i Shkodrës u mbytën, apo dy skafet me 90 dibranë, që u zhdukën ne vitet 1996 dhe 1998, janë gjithashtu pjesë e vargut të gjatë të tragjedive, që vazhduan për afro 8 vite me radhë.

Sot, kur kanë kaluar kaq vite nga tragjeditë e detit, dhimbja e familjarëve nuk është lehtësuar aspak. Ajo mbetet e njëjtë si ditën e parë ku, përveç humbjes së të afërmve të tyre, ende veshur me të zeza e me sytë që nuk u thahen kurrë nga lotët, përballen edhe me dhimbjen që u jep drejtësia e munguar.

Top Channel