Itali, Sereni mund të zëvendësojë Mogherinin

23/10/2014 00:00

Zëvendëskryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit në Itali rezulton deri më tani si kandidatja më e preferuar për të zëvendësuar ministren e Jashtme italiane, Federica Mogherini, kur kjo e fundit të transferohet në Bruksel për t’u bërë Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Marina Sereni, anëtare e Partisë Demokratike (qendrës së majtë) të kryeministrit Matteo Renzi, konsiderohet si një person shumë i afërt me kryeministrin 39-vjeçar dhe ka shërbyer në të kaluarën edhe si zëdhënëse e partisë për marrëdhëniet me jashtë.

“Emri më i besueshëm deri më tani është Sereni”, thotë një burim nga pallati “Farnesina” në Romë, apo selia e Ministrisë së Jashtme në Itali.

Sereni, 54 vjeçe, ka shërbyer në Komisionin parlamentar të Jashtëm dhe atë të Marrëdhënieve Europiane, ashtu sikurse edhe në komisionin e Sigurisë, trupa që ofron mbikëqyrjen parlamentare ndaj shërbimeve sekrete të Italisë.

“Ajo është një nga kandidaturat më serioze për Farnesinan, i përmbush të gjitha karakteristikat e nevojshme. Sigurisht, asnjë nuk është zyrtare deri më tani, pasi do të varet nga Renzi”, shtoi një parlamentar i PD-së.

Emërimi i Serenit do t’i lejonte kabinetit prej 16 anëtarësh të rikthente barazinë gjinore, që Renzi e ka trumpetuar me forcë si pjesë e qeverisjes së tij për të modernizuar sistemin politik të Italisë.

Mogherini pritet të largohet drejt Brukselit në Nëntor, kur Komisioni Europian i kryesuar nga ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, do të nisë zyrtarisht detyrën.

Top Channel