“Made in Albania”, aksesorë mode me materiale të leshta

23/10/2014 00:00

Aksesorët janë elementë, që tërheqin gjithmonë vëmendje, dhe janë zgjedhja që bën diferencën në një veshje.

Kjo spile, këta vathë, kjo çantë, pse jo dhe kapelja, janë krijime unike të bëra në mënyrë artizanale. Ato sjellin shijen e hollë të tendencave më të fundit të modës, por janë prodhime shqiptare.

Nuk kanë një markë dhe, ç’është më e bukura e tyre, ato e kanë origjinën nga pjesa rurale e vendit. Në ato zona, ku leshi i deleve hidhej dhe nuk shfrytëzohej për përfitim të mëtejshëm, një grup stilistësh kanë bërë të mundur futjen e këtij materiali në një zinxhir prodhimi. Dhe rezultati ka sjellë vepra të vërteta arti.

Materialet e këtyre suvenireve dhe aksesorëve e kanë origjinën nga Bjeshkët e Kukësit, nga pika e Çajës. Banorët e zonës, të trajnuar dhe nën monitorimin e specialistëve të tekstileve e stilistët, kanë mundur të përpunojnë lëndën e parë. Madje, një pjesë të këtyre suvenireve dhe aksesorëve e kanë realizuar vetë gratë e zonës.

Të bukura dhe shumë tendencë, këto produkte artizanale tashmë synojnë tregun ndërkombëtar të modës.

Top Channel