Tragjedia e 9 Janarit, Marta dhe Ndoc Bjeshka: Jeta jonë pa Kreshnikun

23/10/2014 00:00

“Ndodhemi 4-5 milje larg Sazanit apo Karaburunit, afër Dhërmiut. Jemi shumë njerëz, hajdeni se u mbytëm”…

Kështu u mësua lajmi i tragjedisë së Karaburunit, e cila mori jetën e 29 personave, mes tyre edhe të vetë skafistit, në datën 9 Janar 2004.

Trupat e 20 të rinjve të rrethit të Shkodrës, që po udhëtonin me skaf drejt Italisë, u gjetën nga kërkimet, ndërsa 8 të tjerë vijojnë të mbeten të zhdukur edhe sot.

Një prej tyre është edhe Kreshnik Bjeshka, nga qyteti i Shkodrës, asokohe 25 vjeç. Ditët pas ngjarjes, e ëma e tij Marta qëndroi për muaj të tërë në det, në pritje të gjetjes së trupit.

Por, pas dhjetë vitesh nga ato kohë, prindërve të Kreshnikut ua shton më tepër dhimbjen mungesa e një varri ku të qajnë.

“Data 9 Janar më kujton një trishtim shumë të madh, të cilin e vuaj gjithmonë. Por, me forcën e Zotit, mundohem ta kaloj, sepse përtej vdekjes janë shumë halle të tjera. Vdekja do të na marrë të gjithëve. Im bir shkoi për një jetë më të mirë, duke shpresuar, sepse shpresa vdes e fundit. Por jeta iu ndërpre përgjysmë. Më 9 Janar 2004 humbi jetën ai, së bashku me shumë të tjerë nga Shkodra. Skena e fundit që kujtoj nga Kreshniku është kur më kërkoi bekimin. ‘Të më japësh bekimin – më tha – sepse unë do të marr një rrugë tjetër. Edhe do të të jap unazën, sepse do të të blej një më të mirë. Mam, ti do të jesh e fortë, një nënë e fortë sa gjithkush do të habitet për ty’”, kujton Marta.

Babai Ndoci, në dukje më i fortë, vazhdon të kërkojë me ngulm drejtësinë.

“Është diçka që na kujtohet sikur ka ndodhur përpara një jave. Problemi ishte se djali më telefonoi edhe më tha se kishte gjetur burime financiare për të ikur në Itali. Kur më çoi te sekseri, ky më dha besën e Zotit se nuk do t’i shkelte këmba në ujë. Nga ajo ditë e deri më sot djali nuk është gjetur. Kështu që s’kam ç’të them veçse një tmerr për mua. Por kam shpresa, në mos sot, nesër unë trupin e djalit tim do ta gjej”, shprehet Ndoci.

Tragjedia e 9 Janarit 2004 përkujtohet çdo vit nga familjarët e viktimave, që mesa duket janë të vetmit që do të vazhdojnë gjithmonë betejën e tyre, për zbardhjen e së vërtetës së asaj të premteje, që u ndryshoi përgjithmonë jetën…

Top Channel