Është përkujtuar në Tiranë revolucioni hungarez antikomunist, pjesë e të cilit u bënë edhe tre të rinj shqiptarë. Në ditët e revolucionit, ata krijuan një organizatë dhe shpërdanë trakte në solidarizim me studentët hungarezë.

58 vjet më parë shpërtheu revolucioni i parë antikomunist në botë. Studentët hungarezë kundërshtuan me armë regjimin komunist dhe kjo lëvizje krijoi në gjithë botën komuniste të asaj kohe një shpresë për ndryshim.

Revolucioni u shtyp me dhunë nga komunistët, të ndihmuar edhe nga Bashkimi Sovjetik. Revolucioni antikomunist pati reflektim edhe në Shqipërinë e izoluar. Në atë kohë, në Shqipëri u krijua një organizatë e frymëzuar nga ky revolucion.

Tre të rinj shkodranë, të cilët studionin pranë Liceut Artistik në Tiranë; përkatësisht Nikolin Pavaci, 19 vjeç, Karlo Cefa, 18 vjeç dhe Ndrekë Bazhdari, pa i mbushur 17 vjeç; ishin të parët që krijuan një formë besëlidhjeje të quajtur “Breznitë Kastriote” dhe iu përveshën punës, kuptohet në mënyrë të fshehtë, që të sensibilizonin opinion publik. Traktet u shpërndanë në Shkodër e Tiranë, deri sa ata u arrestuan dhe u dënuan me burgim.

Në vitin 2006, me rastin e 50-vjetorit, ata u nderuan me medalje nga Qeveria hungareze, ndërsa në vitin 2011 u nderuan nga Presidenti i shtetit, Solyom Laszlo, dhe Kryeministri Gyurcsany Ferenc, me medalje të veçantë “Heroi i Lirisë”, për sakrificën dhe vuajtjet e tyre në solidarizim me idealet e përbashkëta me mijëra studentë hungarezë të vitit 1956.

Top Channel