Parlamenti kanadez nis punën pas incidentit

23/10/2014 00:00

Parlamenti i Kanadasë është kthyer sërish në punë, një ditë pasi një agresion me armë zjarri mori jetën e një ushtari përpara Memorialit të Luftës në Otava.

Të gjithë deputetët në sallë mbajtën një minutë heshtje për 24-vjeçarin, të cilin e shpallën si hero, pasi humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës.

“Unë e di që ne gjithmonë do të qëndrojmë së bashku. Objektivi i sulmit ishte të krijonte frikë dhe panik në Kanada. Por, unë zotohem se do të hartojmë së bashku ligje më të forta në shërbim të sigurisë. Ndërsa, si përfaqësuesit e popullit kanadez, ja ku jemi në vendet tona, në dhomën tonë, në zemër të demokracisë dhe puna do të vazhdojë”, tha kryeministri kanadez Stephen Harper.

Atentatori është identifikuar nga policia kanadeze dhe FBI, si Michael Zehaf-Bibeau. 32-vjeçari dyshohet si simpatizant në radhët e Shtetit Islamik, mirëpo ende nuk ka një konfirmim zyrtar lidhur me këtë.

E shkuara e Michael gjithashtu dëshmon se ai ka qenë një kontigjent kriminal prej vitit 2004. Analistët shkruajnë se akti kriminal i Kandasë nuk duhet të cilësohet vetëm si një “rast i izoluar”, por të vlerësohet si një tentativë e ISIS për të përhapur ekstremizmin e tyre në çdo skaj të botës.

Top Channel