Bushati: Kursi ynë, në harmoni me SHBA dhe BE

23/10/2014 00:00

I pranishëm në takimin rajonal të ministrave të Jashtëm dhe të Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Beograd, ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, në një intervistë për Top Channel shprehet se incidentet si ato që ndodhën pak ditë më parë në Beograd nuk i shërbejnë bashkëpunimit në rajon.

Por ai shton se Shqipëria ka një kurs të qartë Euro-Atlantik, në harmoni të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe Bashkimin Europian.

Ndërkaq, Bushati shton se, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, vizita e tyre në Beograd do t’i shërbejë edhe vizitës së kryeministrit që pritet të mbahet më 10 nëntor.

I pyetur se çfarë do të diskutojë me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, Bushati është shprehur se nuk do ngurrojë t’i shprehë atij qëndrimet e mbajtura deri më tani nga ana e tij dhe qeverisë shqiptare. Me zotin Bushati bisedoi korrespondenti ynë Idro Seferi.

Zoti ministër, cila është arsyeja e këtij takimi?

Ditmir Bushati: Ky është një takim rajonal i ministrave të Jashtëm dhe të Ekonomisë të Ballkanit perëndimor, me praninë e BE-së, konkretisht të komisionerëve të Zgjerimit dhe Çështjeve Ekonomike, si dhe me praninë e institucioneve financiare që kanë peshë në zhvillimin ekonomik dhe social në rajon. Po bëjmë diskutime që kanë nisur në procesin e Berlinit, takime janë mbajtur edhe në vende të tjera dhe po diskutojmë për forma bashkëpunimi se si Ballkani të lidhet më mirë në forma infrastrkturore dhe me rrjetet kryesore të BE.


Sa ndikon incidenti i ndeshjes dhe si ju duket atmosfera?


Ditmir Bushati
: Incidentet nuk i shërbejnë klimës pozitive që duam të ndërtojmë në rajon. Shqipëria ka një kurs euro-atlantik në harmoni me SHBA dhe BE. Duam që Ballkani të hapë një kapitull të ri marrëdhëniesh, pavarësisht diferencave të mëdha mes disa vendeve, si ne dhe Serbisë, pasi mendojmë se ka ardhur momenti të gjejmë pikat e përbashkëta për të krijuar harmoni mes nesh. Takimi ynë këtu do t’i shërbejë edhe takimit të dy kryeministrave pas disa ditësh, pavarësisht se këto takime nuk kanë lidhje direkte me njëra-tjetrën.


A keni një mesazh për homologun serb dhe nëse do ta takoni, cili do të jetë qëndrimi juaj?

Ditmir Bushati: Ky është një format rajonal nën mbikëqyrjen e BE, ku do mund të takojmë gjithë kolegët e vendeve të rajonit. Natyrisht, nëse takohem me homologun tim serb nuk do ngurroj të them gjërat që kam thënë gjatë kësaj periudhe, sepse kemi qëndrime të ndryshme për ato që kanë ndodhur dhe për disa politika të qenësishme për rajonin, kur vjen puna për harmonizimin e objektivave me BE dhe SHBA. Por kjo nuk na pengon të ulemi në tryezë dhe të zvogëlojmë këto diferenca në shërbim të interesave të popujve tanë dhe rajonit.

Top Channel